Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Malin e Zi do të mbahen më 11 qershor. Presidenti Milo Gjukanoviç njoftoi datën përmes një konference për mediat në Podgoricë.
“Neni 92 paragrafi 3 nxjerr dekret për shpërndarjen e parlamentit. Duke zbatuar nenin 92, paragrafin 5, mora vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për 11 qershor”, theksoi Gjukanoviç gjatë fjalës së tij, shkruan Vijesti.
Gjukanoviç, i pyetur nga gazetarët për vendimin e tij për shpërndarjen e parlamentit, tha se i është referuar Kushtetutës.
Qeveria aktuale e Dritan Abazoviçit para shtatë muajsh u rrëzua nga një mocion mosbesimi. Ekzekutivi u rrëzua pasi Abazoviç nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe në gusht të vitit 2022.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020. Zgjedhjet e reja që do të shpallen do të jenë të gjashtat që Mali i Zi ka mbajtur që nga pavarësia më 2006./abcnews.al