Janë 115 profilet e bllokuara nga Facebook, me dyshimin se janë pjesë e një plani për ndërhyrje në zgjedhjet e mes mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë moti i keq në Bregun Lindor rrezikon pjesëmarrjen në votime.
Facebook ka bllokuar menjëherë 30 profile në platformën e saj dhe 85 të tjera në instagram, të dyshuara se ishin përfshirë në një plan për të ndërhyrë në zgjedhjet e mes mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është konfirmuar nga vetë shoqëria e Mark Zuckerberg, duke shpjeguar se një aktivitet i tillë mund të lidhet me persona që jetojnë jashtë territorit amerikan. Ndërkohë presidenti amerikan Donald Tramp u bëri apel mbështetësve të tij të votojnë pasi vendi po respektohet sërish në të gjithë botën.
Në takimin e fundit elektoral para votimit në Fort Uejn, Indiana, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se tashmë amerikanët kanë një president që lufton për vendin, një vend që demokratët duan ta shkatërrojnë: por ne nuk do e lejojmë, nuk do të heqim dorë dhe nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Do të fitojmë sepse ne jemi amerikanë të vërtetë,” u shpreh ai
Ndërkohë moti i keq rrezikon procesin e votimit në bregun lindor, ku janë parashikuar stuhi dhe erëra të forta. Ekspertët shprehen se këto kushte metereologjike mund të ndikojnë në pjesëmarrjen në votime, një fakt që shqetëson dhe demokratët dhe republikanët. Fronti i temperaturave të ulëta do të shkaktojë reshje të dendura kudo në bregun lindor, nga Florida në Mein, ndërsa situate më kritike do të jetë në Nju Jork, Pensilvani dhe Virxhinia jo shumë larg Uashingtonit. Por moti i keq do të prekë dhe zonat në veri përfshirë Miçigan, Minesota dhe Dakota e Veriut. Gjendje e alarmit për motin është dhënë dhe në Missisipi./abcnews.al