Qeveria ka miratuar një fond shtesë në buxhetin e vitit 2022 për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 mars në 6 bashki. Shuma e akoruduar nga qeveria kap shifrën e 190 milionë lekë. Ky buxhet do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
Vendimi: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të organizimit të zgjedhjeve të pjesshme për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 6 mars 2022.
- Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën për regjistrimin e 11 partive për zgjedhjet e pjesshme lokale më 6 Mars. Celibashi njoftoi regjistrimin e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Lëvizja e Re, Partisë Fryma e Re Demokratike, Partisë Kristian Demokrate, Partisë Demokristiane, Partisë Reformave Demokratike të Shqipërisë, Partisë Bashkimi Demokrat, Partisë Lëvizja e Legalitit dhe Partisë Balli Kombëtar Demokrat. LSI ka hyrë në zgjedhje me partinë e Nard Ndokës, duke formuar koalicionin e quajtur “Shtëpia e Lirisë” nga ish-kryeministri Sali Berisha. Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ka depozituar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme.
/abcnews.al