Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë bërë të ditur sot përpara medias se cili është qëndrimi i opozitës jashtë parlamentit për votimin gjatë ditës së nesërme të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Për nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, përfaqësues i opozitës në Këshillin Politik, votimi i paralajmëruar nesër i kodit të ri zgjedhor nga Rama është prova e fundit të tij dhe varros integrimin e vendit.
Sipas tij, secili nga ata deputetë që nesër do të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të japë llogari për shkelje të Kushtetutës.
Gjatë fjalës së tij, Vasili u shpreh:
“Votimi i nesërm për të gjithë shqiptarët është prova e fundit të paralajmëruar të Edi Ramës sepse çdo akt i nesërm është përgjegjësi shumë e rëndë nga e cila Rama nuk mund të shmanget dot, pasi në mënyrë të vullnetshme varros integrimin europian të vendit.
Me votimin e nesërm hapje negociatash nuk ka. Sot integrimi europian ka vetëm një armik, Rilindjen dhe Edi Ramën. Agjenda e Edi Ramës është anti-perëndim dhe anti-NATO dhe është drejtuar drejt realiteteve informale dhe të ngarkuara me pisllëk politik. Është e qartë për shqiptarët se cili pengon dhe izolon vendin.
Listat janë më të mbyllura se më parë. Rama bën sikur hap listat dhe thotë që koalicione do të ketë por do t’i bëjë siç do ai. Shqiptarët e kanë të qartë, që nga ekonomia familjare te ekonomia e vendit që ka një borxh publik që shkon në 100%, te një njeri që vjedh 24 orë në ditë me koncesione, një njeri që lë spitale të shkretuara si dhe shkollat në një derexhe që nuk është parë kurrë, po luan aktin e fundit tashmë të tragjedisë së vetes, pasi shqiptarët e konsumuan çfarë kishin për të konsumuar, janë vetëm përpara kryerjes së aktit përfundimtar më 25 prill.
Kështu që ky qëndrim është edhe ai që kemi ne, qëndrimi politik i yni në raport me këtë akt të një mafiozi politik, që i duket sikur mund të shpëtojë.”
N.D./abcnews.al