Zgjedhjet e 25 Prillit, kreu i OSBE-së takim me ambasadorët e huaj në Shqipëri dhe Celibashin

schedule12:26 - 20 Janar, 2021

schedule 12:26 - 20 Janar, 2021

Thuajse tre muaj nga dita e zgjedhjeve, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, organizoi sot një takim të ambasadorëve të huaj në Shqipëri dhe kreun e KSHZ Ilirjan Celibashin, për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në krah të tij ishte ambasadorja suedeze, Elsa Håstad, vendi i së cilës mban Kryesinë e Radhës të OSBE-së.

Prezenca i njohu përfaqësuesit e Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare me zhvillimet kryesore të reformës zgjedhore, si ndryshimet e Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera. Po ashtu, Prezenca i informoi ata lidhur me projektet në ndihmë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe aktorëve të tjerë vendas, gjatë kohës së mbetur deri në zgjedhje.

Celibashi njohu pjesëmarrësit me përgatitjet e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve, veçanërisht lidhur me përdorimin e teknologjisë, mundësimin e votës së emigrantëve shqiptarë dhe vëzhgimin e rasteve për keqpërdorimin e mundshëm të burimeve njerëzore për qëllime elektorale. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve të ambasadorëve. Po ashtu, Celibashi foli edhe për sfidat me të cilat përballet KQZ-ja lidhur me ngritjen me vonesë të strukturës së re të KQZ-së dhe presionin mbi punën e institucionit që shkakton koha e kufizuar deri në zgjedhje./mv.abcnews.al