Zgjedhjet e 2025/ Idrizi pas takimit me Presidentin: Datat fundore janë më të përshtatshme për PDIU

schedule11:52 - 20 Nëntor, 2024

schedule 11:52 - 20 Nëntor, 2024

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka folur pas takimit të presidentit Bajram Begaj me kryetarët e partive të vogla parlamentare, kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, të PBDNJ-së Vangjel Dule, të LZHK-së, Dashamir Shehi dhe të PAA, Agron Duka, për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Ai ka thënë se datat fundore janë më të përshatshme për PDIU. Sipas Idrizit, duhet parë vendimi i Kushtetueses për listat e hapura, por edhe për t’i dhënë më shumë kohë, për të kuptuar modalitetet si do votojë diaspora.

“Gjithë partitë politike janë të barabarta. Besoj që presidenti do të ketë konsulta dhe me partitë e tjera dhe do të vendosi një datë.
Nuk besoj se do të ketë ndonjë problem nga pikëpamja politike, por më shumë nga pikëpamja kohore. Nuk i kam ndjekur të tjerët, jemi këtu për të dhënë mendimin tonë, është presidenti që vlerëson më pas.

Duhet parë vendimi i Kushtetueses për listat e hapura, por edhe për t’i dhënë më shumë kohë, për të kuptuar modalitetet si do votojë diaspora, që ia kemi shumë borxh. Kemi insistuar shumë edhe për ministrinë e diasporës, mundësia e bërjes së gjithë procedurës dhe kohës për t’iu adresuar diasporës. Datat fundore janë më të përshtatshme për mendimin e PDIU”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!