Në një konferencë me gazetarët, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditura datat në të cilat do të mund të regjistrohen partitë politikë në zgjedhje, nisjen e fushatës dhe detaje të tjera të lidhura me zgjedhjet vendore të pranverës që vjen.
Zgjedhjet vendore të 14 majit do të kushtojnë 2.3 miliardë lekë ndërsa KQZ kërkon një fond shtesë prej 3 miliardë lekësh që të mund të votohet elektronikisht edhe në 6 bashki të tjera të mëdha të vendit, veç Vorës.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh se synohet që të ketë votim elektronik në Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Shkodër dhe Fier, por që ky proces të bëhet i mundur, duhet të arrihet një dakordësi mes partive politike si edhe t’u vot6ohen fondet në dispozicion. Në të kundërt, votim elektronik do të ketë vetëm në Vorë.
Celibashi bëri po ashtu të ditur se lista përfundimtare e votuesve do të dalë në 9 prill ndërsa dha siguri se lista nuk është prekur nga sulmet kibernetike pre e të cilave ra së fundmi vendi.
“Nuk ka asnjë lloj problemi për listat e zgjedhjeve, sepse sistemi, baza e të dhënave të votuesve dhe regjistrit të gjendjes civile nuk është ekspozuar”, shtoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Fushata zgjedhore nis më 14 prill, pra 1 muaj nga data e zgjedhjeve dhe 8 maji do të jetë afati i fundit që do t’u lejohet lejohet televizioneve apo çdo institucioni tjetër për të bërë sondazhe. /abcnews.al/