Zgjedhjet e 14 majit/ Ja bashkitë që do të kenë votim dhe numërim elektronik

schedule20:17 - 30 Janar, 2023

schedule 20:17 - 30 Janar, 2023

Është zyrtarizuar konsensusi për votim dhe numërim elektronik në bashkinë e Vorës që ishte pjesë, Kamzës dhe Elbasanit.

“Në përputhje me fondin e vënë në dispozicion konkludojmë se ai është i mjaftueshëm për zhvillimin e votimit elektronik në 352 qendra votimi, veçmas bashkisë Vorë. Duke marrë në konsideratë këtë numër qendrash votimi, kohën në dispozion të realizimit të këtij projekti, si dhe dobinë për zhvillimin e tij në ambiente gjeografike të ndryshëm rekomandohet zhvillimi i votimit elektronik edhe në bashkitë Elbasan dhe Kamëz, përkatësisht ZAZ 47, 48, 49, 50 dhe për bashkinë Kamëz në ZAZ 27 dhe 28; për bashkinë Vorë, përkatësisht ZAZ 26,” thuhet në relacionin e KQZ-së për këtë çështje.

 

 

LEXO EDHE: Ishte parashikuar vetëm Vora/ Qeveria fond shtesë për KQZ, votim elektronik edhe në 2 bashki

Kujtojmë që disa minuta më parë,  u bë publik vendimi i qeverisë për miratimin e një fondi shtesë për aplikimin  e numërim/votimit elektronik edhe për dy bashki të tjera përveç Vorës.

Dy bashkitë e mëdha që ishin në diskutim ishin pikërisht Elbasani dhe Durrësit, e mesaduket është vendosur Elbasani. Ky vendim mësohet se është marrë nga KQZ në konsensus me partitë politike.

Votimi dhe numërimi elektronik bëjnë të mundur daljen e rezultatit menjëherë pas mbylljes së orarit të votimit, duke reduktuar kohën e shpalljes së rezultatit dhe problematikat me abuzimin në numërim.

Proçesi u testua për herë të parë në njësinë 10 në kryeqytet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe në Vorë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. KQZ po e shtrin gradualisht këtë proçes i cili përmirëson standardin zgjedhor, por kushton shtrenjtë për tu shtrirë njëherësh në mbarë vendin.

Ndërkohë në çdo qendër votimi në Shqipëri identifikimi i votuesve do të të bëhet elektronikisht me dokument dhe shenja gishtash.

Vendimi për fondin shtesë:

PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023,MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 14 MAJ 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, tëligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i MinistraveVENDOSI:

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej:

a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;

b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet:

a) 1 800 000 000 (një miliard e tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;

b) 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.r.t/abcnews.al