Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë konferencë për mediat deklaroi se KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore si edhe pajisjet e identifikimit elektronik.
Ai gjithashtu theksoi se në këtë proces siguria dhe fshehtësia e votës është 100% e garantuar.
“Në lidhje me projektin pilot, që do të zhvillohet në Njësinë nr. 10, e rikonfirmoj me siguri të plotë që ky proces, pra procesi me votim elektronik, është 100% i garantuar, fshehtësia e votës dhe integriteti janë 100% të garantuara.
Pajisja dhe sistemi janë ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk i shenjojnë radhën dhe kohën e votimit, prandaj ju bëj me dije të gjithë votuesve të kësaj zone që ky proces është ndoshta shumë herë më i sigurt se procesi i votimit me fletën e votimit. Prandaj, të gjithë ata që do duan të shprehin votën e tyre, të votojnë pa asnjë hezitim në këtë zonë, pasi fshehtësia e votës së tyre është e siguruar.
Në lidhje me pajisjet e identifikimit elektronik, tashmë është shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit. Vetëm rreth 100 qendra votimi nuk janë mbuluar akoma me operatorë, në zona mjaft të thella, kryesisht në pjesën veriore, por edhe në jug, por KQZ po punon për këtë.
Procesi i votimit në çdo lloj rrethana do duhet të fillojë në orën 07:00 dhe nuk ka asnjë arsye, qoftë edhe të karakterit teknik, për të pritur procesin e votimit. Në të kundërt, do të ketë sanksione të forta ligjore. Por jam besimplotë që nuk do të kemi asnjë problem të këtij lloji”, tha Celibashi.
Gjatë fjalës së tij ai sqaroi se votuesi mund të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin.
Ndërkohë Celibashi ftoi qytetarët që të marrin pjesë masivisht në kutitë e votimit.
/abcnews.al/