Zgjedhje brenda PS-së, ngrihet komisioni për të analizuar 25 Prillin, tre fazat

schedule17:57 - 2 Qershor, 2021

schedule 17:57 - 2 Qershor, 2021

Partia Socialiste fitoi mandatin e tretë radhazi në pushtet, por kjo nuk do të thotë që të mos bëjnë analizën e procesit, që do të shërbejë si “nxehje” për zgjedhjet lokale. Në mbledhjen e sotme të Asamblesë së PS-së u miratua vendimi për zhvillimin e analizës së rezultatit në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021.

Analiza do të kalojë në tre faza përmes një komisioni të posaçëm. Procesi do të nisë në 15 Qershor 2021 deri në 15 Janar 2022 në cdo nivel të partisë. Brenda fazës së parë do të zgjidhen bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.

VENDIM-                                

Për Zhvillimin e Analizës së Rezultateve në Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prillit 2021

Në zbatim të Statutit të Partisë, neni 37 “Detyrat e Asamblesë Kombëtare të Partisë”, Asambleja Kombëtare e Partisë,

VENDOSI:

  1. Në periudhën 15 Qershor 2021 – 15 Janar 2022 në strukturat vendore të partisë (OS, KSNjA, Bashki, Qark) do të zhvillohen analizat për rezultatet në Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prillit 2021.
  2. Sipas Vendimit përkatës të Asamblesë Kombëtare do të ngrihet dhe funksionojë një Komision i Posacëm i Analizës për Rezultatin e Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit, i cili do të përcaktojë metodologjinë e procesit të analizës.
  • Mbledhjet dhe takimet për analizën e rezultateve zgjedhore do të zhvillohen sipas këtyre fazave:
  1. Faza e parë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në OS të zhvillohen në periudhën 15 Qershor – 15 Nëntor 2021. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.
  2. Faza e dytë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative (KS të NJA) të zhvillohen në periudhën 15 Nëntor- 15 Dhjetor 2021.
  3. Faza e tretë: Analizat për rezultatet zgjedhore në AS të bashkive dhe shkallë qarku të zhvillohen në periudhën 15 Dhjetor 2021 – 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.
  4. Komisioni i Posacëm i Analizës, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e partisë të bashkive të marrin masat organizative për përgatitjen në kohë dhe ndjekjen e analizave që do të zhvillohen në strukturat vendore të partisë.

………………………………………………

VENDIM-                                  

Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Analizës së Rezultatit të Zgjedhjeve të Përgjithëshme të 25 Prillit 2021

Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 37 mbi “Detyrat e Asamblesë Kombëtare të Partisë”, me qëllim përgatitjen dhe ndjekjen e analizave në strukturat e partisë për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithëshme të 25 Prillit 2021, Asambleja Kombëtare e Partisë,

VENDOSI:

  1. Të ngarkojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Analizës së Rezultatit të Zgjedhjeve të Përgjithëshme të 25 Prillit 2021.
  2. Përbërja e Komisionit të Posaçëm të Analizës përcaktohet me urdhër të veçantë të Kryetarit të Partisë.
  • Komisioni i Posaçëm i Analizës të organizojë punën e tij në nivel kombëtar, rajonal, qark dhe bashki.
  1. Komisioni i Posaçëm i Analizës do të hartojë raportin paraprak të analizës që identifikon situatën organizative, përbërjen gjinore, moshore, rezultatin e saj në tre zgjedhjet e fundit politike, përmbushjen ose jo të objektivit electoral. Ky formular do të hartohet për të gjitha nivelet, duke filluar nga OS, KSNjA, Bashki dhe në Qark.
  2. Brenda Periudhës 15 Qershor – 15 Korrik, Komisioni i Posaçëm i Analizës duhet të kryejë këto detyra:
  3. Të hartojë raportin paraprak të gjendjes organizative të partisë dhe të rezultateve zgjedhore në tre zgjedhjet e fundit politike (2013, 2017 dhe 2021)
  4. Të hartojë raportin për funksionimin e sistemit të patronazhit mbi bazën e të dhënave të administruara nga Sekretariati Ekzekutiv dhe drejtuesit politikë të qarqeve.

………………………………………….

VENDIM-                                  

Për Zhvillimin e Mbledhjeve Zgjedhore në Strukturat Vendore të Partisë

Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 23, pika 6 dhe 7; Neni 26 pika 2, gërma d; Asambleja Kombëtare e Partisë,

VENDOSI:

  1. Në periudhën 15 Shtator 2021 – 15 Janar 2022 të zhvillohen mbledhjet zgjedhore në strukturat vendore të partisë.
  2. Mbledhjet për zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë do të zhvillohen sipas këtyre fazave:
  3. Faza e parë: 15 Shtator- 15 Nëntor 2021 – Mbledhjet për zgjedhjet e reja në OS për zgjedhjen e bashkë-kryetarëve të OS dhe sekretarit/ëve të OS.
  4. Faza e dytë: 15 Nëntor-15 Dhjetor 2021 Gjatë kësaj faze sipas përcaktimeve në Statutin dhe Librin e rregullave të Partisë me ndryshimet në drejtimin e OS (zgjedhjen e bashkëkryetarëve të rinj të OS):
  5. Të bëhen përmirësimet në përbërjen dhe drejtimin e KS, AS të bashkive dhe në Këshillin Koordinues të Qarkut;
  6. Të bëhen ndryshimet në përbërjen e anëtarësisë së KS të NJA me përfshirjen në to të bashkë-kryetarëve të OS të zgjedhur të rinj;
  7. Të bëhen ndryshimet në përbërjen e mbledhjeve të zgjeruara të AS të bashkive me përfshirjen e bashkëkryetarëve të rinj të zgjedhur në OS të bashkive;
  8. Faza e tretë: 15 Dhjetor 2021-15 Janar 2022 të zhvillohen:
  9. Mbledhjet e zgjeruara të AS të bashkive për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të bashkive në të gjitha rastet kur ata janë të komanduar apo japin dorëheqjen për arsye të mosrealizimit të objektivave në zgjedhjet e përgjithëshme.
  10. Konstituimi i AS të bashkive, KSNjA dhe të Këshillave Koordinues të Qarqeve.
  11. Drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e partisë të bashkive të marrin masat organizative për zhvillimin e ndjekjen e mbledhjeve zgjedhore në OS dhe procesin e përmirësimeve në përbërjen dhe drejtimin e KSNjA, AS të bashkive dhe në Këshillat Koordinues të PS të qarqeve.

/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!