Emanuel Adebayor i dha fund aventurës me Kayserispor në ditët e para të dhjetorit të kaluar dhe e mbylli aventurën turke me 2 gola të shënuar në 7 ndeshje. 35-vjeçari nga Togo shpresonte të rikthehej në Premier League.
Aston Villa dhe Newcastle nuk e gjetën akordin me sulmuesin afrikan, i cili ka shënuar 97 gola në ishull gjatë eksperiencave me Arsenal, Manchester City, Tottenham dhe Crystal Palace. Objektivi i 100 golave nuk mund të arrihet dhe karriera e Adebayor do të vijojë në Amerikën Latine. BeinSports zbulon se afrikani ka arritur akordin me Olimpia Asuncion, që garon në elitën e futbollit paraguaian.
Ekipi kryeqytetas ndan kreun me Libertad Asuncion dhe Guarani, nuk ka humbur asnjë ndeshje deri tani dhe garon për fitimin e titullit kampion. Adebayor do të gjejë Roque Santa Cruz tek Olimpia. Të dy sulmuesit shtatlartë janë aktivizuar së bashku te Manchester City dhe tani do të tentojnë titullin me golat e tyre. /abcnews.al