Analisti Artur Nura deklaron se protestat e fundit kanë lëkundur seriozisht pozitat e Sali Berishës brenda PD-së, duke treguar se ai nuk e komandon më partinë si më parë.
Sipas tij, dalja e deputetit nr. 2 të Elbasanit dhe reagimet në Strasburg janë shenja të qarta se strategjia aktuale po e çon opozitën drejt izolimit dhe bojkotit ndërkombëtar.
Nura thekson se brenda PD-së po hapet hapësirë për figura të reja, si Ervin Salianji, me të cilin disa mendojnë se partia mund të ketë një drejtim tjetër.
“Ka një zhvillim të rëndësishëm. Berisha, përpara Kryeministrisë, ku i ktheu shpinën, duket sikur do të dalë e jo të hyjë, ngaqë Rama është lëmerisur nga protesta. Në PD kanë nisur të ngrihen zëra, duke iu bërë Berishës pengesë në zgjedhjet e tij personale. Dalja e nr. 2, deputetit të Elbasanit, është një shenjë që Berisha nuk komandon më në mënyrën e tij të vjetër, por ka zëra që i thonë se kjo strategji po i çon në bojkot. Pozitat e Berishës janë lëkundur; njerëzit, në mënyrë të butë, po i thonë se nuk duhet vendosur kështu, sepse kështu nuk na mbështesin as ndërkombëtarët. Në ndërhyrjen e fundit në Strasburg iu hoq fjala; janë tronditur themelet e politikës që ka dominuar PD-në në mënyrë të padiskutueshme. Në PD do të ketë më shumë hapësirë me Salianjin, dhe disa kanë kuptuar se me Salianjin mund të shkojnë diku”, u shpreh ndër të tjera, analisti Artur Nura.
/abcnews.al/


