Zgjedhja në UEFA, Duka priste 30 vota

schedule17:30 - 9 Shkurt, 2019

schedule 17:30 - 9 Shkurt, 2019

Armand Duka nuk priste të merrte 36 vota në zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare, do të synojë të fitojë më shumë fonde për infrastrukturën.

Në Shqipëri u kthye disi edhe i habitur për fitoren. Armand Duka u zgjodh në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, por nuk e priste që të merrte kaq vota. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për ABC News, se Duka ishte shprehur që më parë se mendonte të fitonte 30 vota, që sërish do të kishin qenë të mjaftueshme për t’u zgjedhur, veçse doli nga procesi elektoral me 36.

Siç ka njoftuar më parë ABC News, presidenti i FSHF-së pati mbështetjen e federatave të mëdha si të Anglisë, Francës, Italisë, besohet edhe të Spanjës apo Gjermanisë. Duka pritet që ta shfrytëzojë postin e lartë në UEFA për të ndikuar që federatat e vogla, si Shqipëria, të kenë më shumë financime. Të njëjtat burime në Federatë pohojnë se theksi do të vihet tek shtimi i fondeve të projektit “Hatrik”, të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturën.

“Hatriku” ka bërë të mundur investimet në Shkodër apo në stadiumin e ri kombëtar, si dhe kompleksin e Federatës në Kamzë, ndërsa UEFA parashikon që çdo anëtar të ketë mundësi të marrë fonde deri në 1.9 milionë euro në vit. Në garën e zhvilluar në hotelin “Kavalieri Valdorf Astoria” në Romë, Duka zuri vendin e gjashtë nga 7 anëtarë që u zgjodhën gjithsej. Ai la prapa me 9 vota, përfaqësuesin e Ukrainës, Andrij Pavelko, ndërsa të eleminuar dolën ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Boris Mihajlov I Bullgarisë dhe përfaqësuesi i Bosnjë Hercegovinës, Elvedin Begiç./abcnews.al