Prokuroria e Posaçme ka hapur garën për pasuesin e Aida Hajnës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Aplikantët duhet te dorëzojmë dokumentet pranë sekretarisë së SPAK deri më datë 7 maj.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar njofton çeljen e procedurës së riemërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në përputhje me ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” neni 33 pika 2, ligjin nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, neni 42 germa (a), me urdhërin nr.11794, datë 07.04.2025, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka ngritur Komisionin e Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i përbërë nga z.Altin Dumani, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorët e posaçëm z.Arben Kraja e z.Behar Dibra.
Referuar dispozitave ligjore përkatëse, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqiptar, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret si vijon:
- ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
- ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;
- ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
- nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
- të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
- nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
- ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
- ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
- të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
- në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
- të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes;
Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 07 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve që parashikohen në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016.
Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Referuar ligjit nr.95/2016, procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë (7) faza si vijon:
- Shqyrtimi i aplikimit;
- Testi i arsyetimit logjik;
- Kontrolli mjekësor;
- Testi fizik;
- Ese me shkrim;
- Intervistë;
- Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit;
Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret sipas neneve 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.