Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur shortin e hedhur dje në Presidencë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në një postim në rrjetet sociale, Kim shprehet optimiste për vazhdimin e Reformës në Drejtësi. Diplomatja amerikane kujton se Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin 1 vit më parë që mundësoi funksionalitetin dhe se veprimi i djeshëm i hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit 2022.
“Vazhdon zbatimi i Reformës në Drejtësi. Më vjen mirë që Zyra e Presidencës (në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Avokatin e Popullit dhe të tjerë) zhvilloi dje një short transparent për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Gjykata Kushtetuese arriti kuorumin 1 vit më parë që mundësoi funksionalitetin. Veprimi i djeshëm i hap rrugën përfundimit të Gjykatës Kushtetuese në fillim të vitit 2022. Inkurajojmë të gjitha institucionet përkatëse që të vazhdojnë përpara, pavarësisht pengesave, për zbatimin e reformës në drejtësi”, shkruan Kim. g.v/abcnews.al