Gjatë përgjigjeve të pyetjeve, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka deklaruar se zgjatja e mandatit nuk është për karrierën e tij personale dhe as të kolegëve të tij, por sepse nëse një prokurori i ndërpritet mandati dhe ai e njeh shumë mirë çështjen, do të krijojë vështirësi te të tjerët.
Ai ka theksuar se një prokuror ka për detyrë që të merret me çështjen, të grumbullojë shumë prova dhe të vazhdojë hetimet, prandaj kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, si pasojë do t’u jepet mundësi prokurorëve të rikandidojnë.
Sa i përket numrit të referimeve, Dumani u shpreh se ka pasur një rënie, përveç kallëzimeve në Policinë e Shtetit, të cilat janë shtuar.
“Lidhur me mandatin e prokurorëve të SPAK, ne vlerësojmë se vazhdimësia e një strukture si SPAK është në standard të lartë në lidhje me pandëshkueshmërinë. Ju lutem që ta kuptojmë kështu këtë çështje, pasi nuk është shqetësim i karrierës sime apo dhe i kolegëve të mi, pasi ne karrierën e kemi të sigurt brenda sistemit, ne prokuror do të vazhdojmë të ngelemi dhe pas përfundimit të afatit 9 vjeçar.
Së dyti, mendojeni për pak sekonda rastin e tillë, nga njoftimi që ju keni parë, ju keni grumbulluar provat, hetimi po shkon mirë bukur dhe një ditë të bukur, prokurorit i ndërpritet mandati, patjetër do të gjendet dikush tjetër, por ti kur merresh me çështjen di gjithçka lidhur me të se kush është pika e fortë e çështjes dhe kush është pika e dobët dhe cili do të jetë veprimi i radhës që do të kryesh.
Lidhur me ndarjen e çështjeve, në masën mbi 90 përqind çështjet hidhen me short. Lidhur me kompetencën që në fund të këtij viti merr drejtuesi i SPAK, me çështjen e komisionerit publik para kolegjit të posaçëm të apelimit është një vlerë e shtuar dhe patjetër puna do të shtohet. Imagjino drejtuesin e prokurorisë së posaçme që duhet të drejtojë institucionin dhe i duhet të merret me çështje të tjera, patjetër që kemi nevojë për burime të tjera ligjore me qëllim që të mbushim këtë detyrim ligjor. Lidhur me referimet, shifrat flasin vetë kemi një rënie të numrit të referimeve, me përjashtim të Policisë së Shtetit, që kemi një rritje të numrit të kallëzimeve, ndërsa gjithë institucionet e tjera kanë pasur një rënie në me 40 përqind. Unë mendoj që ka një vend për përmirësim, sa i takon luftës së korrupsionit”/abcnews.al