Nga Andrea Walton , Linkiesta
Pandemia ka shkaktuar një krizë serioze ekonomike dhe sociale në mbarë Evropën, një nga kontinentet më të prekura nga emergjenca shëndetësore. Opinioni publik, ka qenë shpesh mosbesues ndaj qasjes së BE-së mbi menaxhimin e Covid-19, dhe më shumë se një herë ka pasur kritika ndaj qasjes që tentuan qeveritë kombëtare, kryesisht me tendenca të moderuara.
Megjithatë, paradoksi është se e djathta radikale evropiane që i përket lëvizjes sovraniste, nuk ka arritur të përfitojë nga kjo situatë. Madje ka pësuar kryesisht një rënie në sondazhe. Por zgjatja e emergjencës shëndetësore, dhe kohëzgjatja e rrezikut të valës së dytë, u ka dhënë një energji të re sovranistëve, që tashmë janë duke e vëzhguar me kujdes fazën e rindërtimit post-pandemik.
Kështu, menaxhimi i pandemisë nga qeveria franceze po shkakton jo pak zhgënjim dhe zemërim tek votuesit. Në horizont po ndërtohen një koktejl shpërthyes që mund të shpërthejë në vitin 2022, gjatë zgjedhjeve presidenciale, ku protagonistët kryesorë do të jenë sërish presidenti aktual Emmanuel Macron dhe drejtuesja e Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë Marine Le Pen.
E djathta radikale ka gjasa që të marrë një rezultat të mirë edhe në këto votime. E megjithatë,ajo nuk ka arritur kurrë të dalë e para dhe të futet në Elize. Por sondazhet thonë se mund këtë herë mund t`ia arrijë, pasi ato e rendisin zonjën Le Pen me 47-48 për qind të votave, pak më shumë se 34 për qind nga viti 2017.
Vitet e fundit, Marine Le Pen është përpjekur shumë ta moderojë imazhin e saj. Kështu, ajo nuk është më në favor të largimit nga Bashkimi Evropian dhe euro, por preferon reformimin e brendshëm të unionit, në një kohë që është më e hapur ndaj politikave të gjelbra.
Nga ana tjetër popullariteti i presidentit Macron është në rënie, dhe sipas një sondazhi të kryer nga IFOP për llogari të “Journal de la Dimanche” nuk i kalon 37 për qind. Kreu i shtetit u përpoq që të shtynte sa më shumë që të ishte e mundur vendosjen e kufizimeve të reja, dhe e quajti bllokimin skenarin më ekstrem, por sipas kritikëve veproi shumë vonë.
Marine Le Pen mund ta mposhtë atë. Por ajo nuk mund ta bëjë vetëm, pasi i duhet të ndërtojë një aleancë me atë që ka mbetur nga e djathta e moderuar franceze e Republikanëve,dhe do t’i duhet të bashkojë, madje edhe në nivel kulturor, rrymat e shumta të së djathtës.
Zgjedhjet parlamentare në Holandë, sollën rikonfirmimin e Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci të qendrës së djathtë të ish-kryeministrit Mark Rutte. Këto zgjedhje u panë si një referendum mbi përgjigjen e qeverisë holandeze ndaj pandemisë së Covid-19.
Reagimi masive popullor lë pak hapësirë për dyshim, teksa Partia e Lirisë (PVV), e udhëhequr nga Gert Wildeers, është zvogëluar duke fituar vetëm 17 nga 150 vendet në parlament (nga 20 në vitin 2017). Retorika anti-emigracion i Wildeers nuk i ka bindur votuesit që zgjodhën të mbështeten tek plani i Rutte për rikthimin sa më shpejt që të jetë e mundur në normalitet.
Rënia e mbështetjes për PVV, nuk duhet të cilësohet si tregues i rënies për të djathtën radikale holandeze në përgjithësi, pasi ka parti të tjera konservatore që kanë arritur të zgjerojnë mbështetjen e tyre elektorale. Këtu përfshihet Forumi për Demokraci (FvD) i historianit intelektual Thierry Baudet që trefishoi vendet në parlament, nga 3 në 8 deputetë, dhe JA21, e përbërë nga disidentët nga FvD, që morën 3 vende.
Kësisoj, forca e përgjithshme e së djathtës radikale u rrit nga 23 vende në parlamentin e shkuar në 29 aktualisht, dhe me një rritje të votave nga 15 në 18 për qind. Gjithsesi, fragmentimi rrezikon që të jetë një problem serioz për këto parti.
Në Berlin, e djathta ekstreme e Alternativës për Gjermaninë(AfD) është në telashe të mëdha. Kjo parti nuk ka arritur që të përfitojë nga lëvizjet e ndryshme që janë formuar kundër kufizimeve për shkak të koronavirusit. Sondazhet e shohin atë të bjerë nga 12.6 për qind e votave të marra në vitin 2017 në 11 për qind aktualisht.
Kjo rënie ka ardhur për shkak të dëbimit nga partia të një prej drejtuesve më të spikatur si Andreas Kalbitz në majin e vitit 2020, dhe masave shtërnguese nga autoritetet shtetërore. Këto zhvillime, së bashku me përpjekjen për zaptimit të godinës së Bundestagut nga disa ekstremistë të krahut të djathtë, e kanë bllokuar rritjen e AfD, që është aktualisht partia më e madhe e opozitës politike në qeverinë e udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel.
Edhe në Austri,Partia e Lirisë (FPÖ) është në pikiatë pas rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve të vitit 2019, ku fitoi vetëm 16.1 për qind të votave kundrejt 26 për qind në zgjedhjet e mëparshme. Në tetor 2020, ky skenar u përsërit gjatë zgjedhjeve lokale në Vjenë. Partia Popullore e kancelarit Sebastian Kurtz, uzurpoi kauzat politike të FPÖ, si emigracioni dhe sigurimet sociale, duke e çuar atë nga 30.8 në 7.5 për qind të votave në sondazhe.
Në Belgjikë, ultranacionalistët e Vlaams Belang, arritën kulmin e tyre historik me 26.3 për qind të votave, në zgjedhjet e vitit 2019. Kohët e fundit kjo parti ka përqafuar një linjë më të moderuar politike, duke u përpjekur që ta paraqesë veten si një parti e aftë për të qeverisur, dhe për këtë pret rastin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024.
Partia e ekstremit të djathtë spanjoll Vox, ka rreth 15 për qind të votave në një sondazh të fundit të kryer nga Qendra e Hetimit Sociologjik. Sipas sondazhit, ajo ka një shans të mirë që të arrijë Partinë Popullore të qendrës së djathtë, që gëzon afro 18 për qind të votave.
Vox nuk e ka fshehur kurrë kundërshtimin e kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit nga qeveria spanjolle. Madje, edhe gjatë bllokimit në pranverën e vitit 2020 ajo koordinoi një demonstratë mbresëlënëse të mbajtur në qendër të Madridit. Zgjedhjet e parakohshme lokale që do të zhvillohen në majin e këtij viti në kryeqytetin spanjoll, mund të shërbejnë si një trampolinë për Vox.
Guvernatorja në largim Isabel Diaz Ayuso nga radhët e konservatorëve,do të ketë nevojë për mbështetjen e kësaj partie, për të qeverisur në rast fitoreje. Demokratët Suedezë, ideologjikisht pranë së djathtës radikale, janë përpjekur që ta shfrytëzojnë në maksimum krizën shëndetësore të shkaktuar nga koronavirusi.
Sipas kuaj partie, faji për problemet që kanë lindur u atribuohet emigrantëve dhe multikulturalizmit suedez. Në Stokholm, bastioni i fundit i atyre që kundërshtojnë bllokimet dhe kufizimet, si dhe lufta kundër emigracionit duket se po japin rezultate. Demokratët Suedezë kanë arritur të ruajnë të paprekur mbështetjen e tyre që nga viti 2018 kur kjo parti arriti në 17.6 për qind të votuesve, dhe tani vlerësohet në 17.9 për qind. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

