Zëvendësoi Vitinë, ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë ka qenë këshilltar i Thaçit

schedule14:56 - 16 Nëntor, 2021

schedule 14:56 - 16 Nëntor, 2021

Mjeku shqiptaro-amerikan, Rifat Latifi është emëruar sot Ministër i Shëndetësisë së Kosovës. Ministri i ri s’është emër i panjohur në Kosovë. Më herët, ai ka qenë edhe këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, raporton Express.

Një gjë e tillë dëshmohet edhe në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë njoftim thuhej se “emërimi i Dr. Latifit në këtë pozitë është konkretizim i angazhimeve në sektorin e shëndetësisë, që është një ndër prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

“Dr. Latifi ka dhënë një kontribut të shquar akademik edhe përmes botimit të tetë librave dhe mbi 100 artikujve shkencor si autor ose bashkë-autor.

Dr. Rifat Latifi është një kosovar që ka kaluar jetën duke qenë i përkushtuar për mirëqenien e pacientëve në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe me angazhime konkrete në funksion të reformimit të kujdesit shëndetësor në Kosovë”, thuhej në njoftimin e atëhershëm të ZKM-së.

Kujtojmë se një muaj e gjysmë pasi Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka emëruar Rifat Latifin ministër të ri të kësaj ministrie. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në një konferencë që po mbanë për media.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Latifi të dielën ka ardhur në Prishtinë nga New York’u.

Sipas tij, ai ka kontribuar në vazhdisi në promovimin e shëndetësisë në Kosovë.

“Ai erdhi pardje nga New Yorku në Prishtinë. Ai ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra sptialore dhe universitete me emër në disa shtete federale të SHBA-ve”, ka shtuar ai.

Ndërsa, me të marrë detyrën e ministrit, Latifi ka thënë se bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrisin standardet mjekësore.

Ai me këtë rast ka premtuar edhe shtim të shërbimeve shëndetësore.

“Unë premtoj se ekipi im dhe unë do të angazhohemi me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate të ngrisim standardet mjekësore, duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë specializimeve si dhe ngritjen e aftësive të kapaciteteve njerëzore për hulumtime shkencore në shkencat mjekësore, sikur për mjekët ashtu edhe për infermierët dhe të gjithë punëtorët tjerë shëndetësorë. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore ne investojmë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhurat prej këtyre shërbimeve, ne riinvestojmë sërish në kualitet”, ka shtuar ai. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!