Zëvendës Presidentja Harris viziton kufirin me Meksikën

schedule19:06 - 26 Qershor, 2021

schedule 19:06 - 26 Qershor, 2021

Zëvendës Presidentja amerikane Kamala Harris ishte në El Paso të Teksasit, në vizitën e saj të parë zyrtare në kufirin jugor amerikan me Meksikën. Pas kthimit të saj nga Guatemala dhe Meksika, zonja Harris e ka përqendruar vëmendjen tek qendrat e paraburgimit ku po mbahen migrantët dhe si po menaxhohet situata nga punonjësit e kufirirt. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza sjell më shumë hollësi nga qyteti El Paso në Teksas.

Zëvendës Presidentja Kamala Harris shkoi të premten në El Paso të Teksasit në vizitën e saj të shumëpritur në kufirin jugor me Meksikën, si pjesë e planit të administratës së Presidentit Biden për të ndaluar fluksin e imigracionit. Nënpresidentja Harris udhëtoi me Sekretarin e Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas.

“Puna që duhet të bëjmë është adresimi i shkaqeve rrënjësore të problemit, përndryshe ne do të vazhdojmë të shohim efektin e asaj që po ndodh në kufi. Ndaj kërkohet, ajo që po bëjmë, një qasje gjithëpërfshirëse, duke pranuar secilën pjesë të këtij problemi. Duke patur parasyshë pozitën gjeografike të Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, jo vetëm që kemi arsye të shqetësohemi për shkaqet kryesore të këtin problemi, jo vetëm për shkak të atyre që shohim në kufi, por edhe sepse jemi pjesë të kësaj Hemisfere”, tha zonja Harris.

Përtej kufirit nga El Paso gjendet Ciudad Juárez. Nga këtu, migranti hondurian Manuel Orlando Pinto Medina shpreson ta përcjellë mesazhin e tij për Harris dhe Mayorkas.

“Do të doja që ata të dinin se shumë prej nesh largohemi nga vendet tona nga frika, nevoja, varfëria dhe mungesa e sigurisë. Nuk është e lehtë të braktisësh shtëpinë tënde.”

Përfaqësuesi i Partisë Republikane në El Paso, Bobby Peña, e shikon vizitën si një manovër politike.

“Arsyeja e vizitës së nënpresidentes është thjesht sepse Presidenti Trump tha se do të vinte”.

Ai po i referohet një njoftimi nga zoti Trump i cili ka në plan të vizitojë kufirin me Meksikën me 30 qershor. Zoti Peña gjithashtu theksoi deklaratat e debatueshme të zonjës Harris gjatë vizitës në Guatemalë dhe Meksikë.

“Nëse ai (Trump) nuk do të vinte, ajo mund të mos kishte ardhur kurrë. Ajo gjithmonë thotë po, unë do të shkoj. Ajo nuk është e interesuar, ashtu si nuk ka shkuar në Evropë, nuk është e interesuar ”.

Zonja Harris ka theksuar se përparësia e saj është të përqendrohet në gjetjen e zgjidhjeve për shkaqet kryesore të migrimit. Për Fernando García, drejtori i Rrjetit Kufitar për të Drejtat e Njeriut në El Paso, kjo vizitë vjen në kohën e duhur.

“Kishte ardhur koha që ajo të vinte të dëgjonte komunitetet tona. Kemi mijëra fëmijë të vëndosur në një bazë ushtarake. Ata nuk duhet të ndalohen, duhet të jenë me familjet e tyre. Shpresojmë që ajo ta zgjidhë këtë.”

Zonja Harris vizitoi të premten qendrat e përpunimit të patrullës kufitare, ku migrantët, përfshirë fëmijët e pashoqëruar, mbahen pasi futen Shtetet e Bashkuara./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!