“Zero viktima në trafik deri në vitin 2050”, Lleshaj: Pavarësisht ndëshkimeve, shifrat ende të larta

schedule09:42 - 21 Tetor, 2020

schedule 09:42 - 21 Tetor, 2020

Në mbledhje me drejtuesit e sektorit të Policisë Rrugore në Shqipëri, në kuadër të zbatimit të masave për rritjen e sigurisë në rrugë,  ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj theksoi se ndryshimet që do të bëhen në Kodin Rrugor do të rrisin më shumë përgjegjësinë dhe se mund të parandalohen shkeljet rrugore.

“Kemi deklaruar që 2020 është viti i rëndësishëm për sigurinë rrugore, me objektivin për të ulur numrin e aksidenteve. Duhet thënë që treguesit këtë vit janë pozitivë. Përgjegjësi e jona të denoncojmë dhe hetojmë dhënien e kolaudimeve të parregullta. Kanë dhe kolaudime në rregull por makina nxin gjithë lagjen me tym.

Dhe atje në dokumente dalin në rregull. Siguria në qarkullim varret nga shumë gjëra. E fundit sjellja në rast aksidenti. Si sillemi në aksident. Dihet që aksidentet prodhojnë pasoja. Por  trajtimi i tyre është shumë i rëndësishëm, që mund t’i zbusë dhe rëndojë. Ruajtja e vendit, masa me rëndësi jetike që çojnë në reduktimin e fataliteteve.

Mund të sjellë kursim jetësh njerëzore. E shihni përditë se si udhëtohet në Shqipëri. Gjendja është e rëndë, kur një person blen biçikletë duhet të blejë edhe mjetet mbrojtëse. Duhet një ndërgjegjësim i qytetare. Pavarësisht masave dhe ndëshkimeve, shifrat  mbeten ende të larta”, tha Lleshaj.

Sakaq brenda pak javësh, në Kuvend pritet të shkojë paketa me ndryshime në Kodin Rrugor, e cila parashikon ashpërsimin e masave për një sërë shkeljesh.

/abcnews.al/