Në një rrëfim plot emocione në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, sopranoja e njohur Tatjana Kora ndau për herë të parë detaje të panjohura nga rrugëtimi i saj artistik. Një histori që nis mes tingujve të një autoparlanti në një kodër të Gjirokastrës dhe kulmoi në skenat më të mëdha të muzikës shqiptare.
“Muzika është jetë për mua”, rrëfen ajo, duke na çuar pas në kohë, kur si një vajzë e vogël me shallin e pionierit këndonte përpara mijëra njerëzve.
Një talent i lindur që u dallua në një konkurs modest në Pallatin e Kulturës, për të përfunduar në Konservatorin e Tiranës si nxënësja e parë e mjeshtrit Gaqo Çako.
“Muzika është jetë për mua. Që e vogël kam qenë e lidhur me muzikën, kam kënduar me shallin e pionerit përpara një publiku mund të them me mijëra. Do të vinte Hrushovi në Gjirokastër. E kam pasur pasion të kënduarin. Profesori i muzikës nuk më linte më merrte gjithandej që të këndoja dhe më në fund u bë një konkurs në Pallatin e Kulturës në Gjirokastër. Kërkonin talente të rinj për në Konservatorin e Tiranës, kur më dëgjuan zërin ishin të kënaqur që gjetën një talent.
Më propozuan për të hyrë në Konservator dhe atje pata fati që më caktuan me profesor Gaqo Çakos, kam qenë nxënësja e parë e tij. I jam dedikuar muzikës me një pasion të jashtëzakonshëm sepse për mua është jeta. Ka qenë një gjë shumë e rëndësishme dhe është akoma. Deri në moshën 5 vjeçare isha në Tiranë, pastaj u transferuam në Gjirokastër dhe pastaj erdha prap në Tiranë në Konservator.
Do thuash si u lidha me muzikën?! Në Gjirokastër shtëpinë e kisha në një kodër dhe mbrapa kisha Pallatin e Kulturës. Në këtë pallat ishte një autorporlant i hapur që jepte muzikë nga mëngjesi deri në darkë. Në shtëpinë time doje apo nuk doje do e dëgjoje këtë lloj muzike dhe fillova të bëjë koncerte në shtëpi. Këndoja këngët e kohës”, rrëfeu Tatjana Kora./abcnews.al

