Zërat për abuzim, Osmani: Kam punuar në përputhje me ligjin

schedule22:37 - 11 Tetor, 2018

schedule 22:37 - 11 Tetor, 2018

Zëvendës kryeministri shqiptar i Maqedonisë, Bujar Osmani ka mohuar zërat për abuzim me detyrën, të ngritura në kuadër të hetimit të Prokurorisë Speciale, të koduar “Pacienti”. Në reagimin e tij, Osmani ka deklaruar se gjatë kohës që ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë ka punuar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me interesat e qytetarëve. Ai është shprehur se shpreson që dyshimet e ngritura ndaj tij të sqarohen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Prej vitesh ka patur spekulime për abuzime në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë kohës që unë isha ministër dhe kam qenë unë një nga ata që kanë këmbëngulur për nisjen e një hetimi”, ka thënë Osmani. Ai ka shtuar se, pret që prokurori të verifikojë sa më parë faktet. Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se askush nuk mund të shpallet fajtor pa u provuar dyshimet. Ai ka thënë se do ta ndjekë procesin hetimor me vëmendje dhe do të veprojë në kohën e duhur nëse do të verifikohet diçka që ka të bëjë me dinjitetin e qeverisë./abcnews.al