Ushtria ukrainase synon të mobilizojë edhe 500.000 ushtarë shtesë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa lufta me Rusinë mbush gati dy vjet. Në një konferencë për media në Kiev, ai ka thënë se komandantët e tij po kërkojnë “450.000 – 500.000 individë”, duke e pranuar se kjo çështje është “e ndejshme” dhe e kushtueshme.
Ai ka thënë se i duhen më shumë hollësi, para se të përkrahë këtë vendim, duke dhënë shenja se rreth 500.000 ushtarë veçse janë në front të luftës. Komentet e tij kanë ardhur teksa rrezikohet ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për vendin e tij.
Republikanët në Kongresin amerikan e kanë bllokuar fillimisht një paketë ndihme në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën. Këtë javë, përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se planifikojnë të dërgojnë më shumë pako të ndihmës për Ukrainën – mirëpo kanë pak kapacitet për të çuar diçka përpara, në mungesë të gatishmërisë së Kongresit.
Bllokada në SHBA është përcjell me një bllokadë që Hungaria ia ka vënë BE-së për të dërguar ndihmë në vlerë të 50 miliardë eurove për Ukrainën. Megjithatë, liderët e BE-së kanë thënë se Ukraina nuk do të mbesë pa mbështetje. Ukraina po përballet me mungesë municioni, teksa vazhdon të luftojë me ushtrinë ruse, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Kundërofensiva e Kievit nuk ka arritur rezultatet e kërkuara përgjatë verës. Presidenti rus, Vladimir Putin, insiston se Moska do ta vazhdojë pushtimin dhe është zotuar se do të arrihen të gjitha synimet.
Lideri i Kremlinit ka thënë se 617.000 ushtarë rusë janë duke marrë aktualisht në atë që Moska e quan “operacion special ushtarak”. Megjithatë, ai e ka pranuar se forcat e tij ushtarake kanë probleme me sistemet ajrore për mbrojtje dhe komunikime, dhe se duhet rritur prodhimin e dronëve. Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.