Presidenti Volodymyr Zelensky tha këtë të hënë se armët jetike amerikane kanë filluar të mbërrijnë në Ukrainë në sasi të vogla dhe se procesi duhet të ecë më shpejt ndërsa forcat ruse që avancojnë përpiqen të përfitojnë.
Zelensky u shpreh në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se situata në fushën e betejës varet drejtpërdrejt nga shpejtësia e furnizimit me municion në Ukrainë.
“Mbështetje në kohë për ushtrinë tonë. Sot nuk shoh ende asgjë pozitive në këtë pikë. Ka furnizime, kanë filluar pak, ky proces duhet të shkojë më shpejt”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara miratuan një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh javën e kaluar, duke i dhënë fund muajve të bllokimit të Kongresit dhe duke rritur shpresat se rezervat kritike të ulëta të predhave të artilerisë do të rimbushen shpejt./abcnews.al