Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se forcat ruse do të mposhten në Ukrainë sikurse u mposht Gjermania Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
“E gjithë ligësia e së shkuarës, që po risillet nga Rusia moderne do të mposhtet, ashtu sikurse u mposht nazizmi”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi, që e incizoi duke qëndruar para një memoriali të luftës, shkruan REL.
“Ashtu sikurse së bashku mposhtëm ligësinë atëherë, së bashku jemi duke mposhtur një ligësi të ngjashme”, shtoi ai.
Ky adresim i presidentit ukrainas vjen në përvjetorin e dorëzimit të Gjermanisë Naziste ndaj forcave aleate më 8 maj 1945, dhe një ditë para Ditës së Fitores, që Moska feston për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Zelensky tha se ka dërguar një projektligj në Parlament për të shënuar zyrtarisht në Ukrainë më 8 maj ditën e fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe për festimin e Ditës së Evropës më 9 maj, duke distancuar edhe më tej shtetin e tij nga Moska.