Plani i fitores i Ukrainës në luftën kundër Rusisë varet nga vendimet e shpejta që do të merren nga aleatët këtë vit, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të premten gjatë një vizite të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Zelensky tha në një konferencë të përbashkët shtypi me von der Leyen se Ukraina planifikoi të përdorte një hua të propozuar prej shumë miliardë dollarësh nga Bashkimi Evropian për mbrojtjen ajrore, energjinë dhe blerjet e armëve vendase.
Zelensky veçoi rëndësinë e presidentit amerikan Joe Biden për planin e fitores, teksa tha se do të diskutojnë kur të takohen. Udhëheqësi ukrainas do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme.
“Shumica e vendimeve nga plani varen veçanërisht nga ai (Biden). Edhe nga aleatët e tjerë, por ka disa pika që varen nga vullneti i mirë dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara,” tha Zelensky.
Presidenti ukrainas ka ofruar përditësime të rregullta mbi përgatitjen e planit, por ka dhënë pak informacione për përmbajtjen, duke treguar vetëm se ai synon të krijojë kushte të pranueshme për Ukrainën pas më shumë se 2 vjet lufte pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë./abcnews.al