Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se numri i ushtarëve të vdekur dhe të plagosur të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut tejkalon 3000 persona.
“Ka rreziqe në dërgimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake shtesë për ushtrinë ruse nga Koreja e Veriut dhe ne do t’i përgjigjemi kësaj. Sipas të dhënave paraprake, numri i ushtarëve të vdekur dhe të plagosur të Koresë së Veriut në Kursk i kalon 3000 persona”, tha Zelensky, duke iu referuar raportit të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Sirsky.
Sipas tij, është e rëndësishme që bota të kuptojë se rreziku i destabilizimit rreth Gadishullit Korean dhe në rajonet fqinje rritet në raport me rritjen e bashkëpunimit midis Moskës dhe Phenianit.
“Transferimi i përvojës së luftës moderne dhe përhapja e teknologjisë ushtarake nga Rusia është një kërcënim global. Për botën, çmimi i rivendosjes së stabilitetit është gjithmonë shumë më i lartë se çmimi i presionit efektiv ndaj atyre që destabilizojnë situatën dhe shkatërrojnë jetën”, tha Zelensky.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi më 26 nëntor se të paktën 12,000 trupa nga Koreja e Veriut janë vendosur në Rusi për të mbështetur luftën e Kremlinit kundër Ukrainës./abcnews.al