Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se do të ishte “vetëvrasëse” për Evropën nëse i ofron koncesione Kreminit për të ndalur pushtimin e Ukrainës.
Duke folur në samitin e liderëve evropianë në Hungari, Zelensky kritikoi ata që po i bëjnë thirrje Ukrainës që të plotësojë disa nga kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe i bëri thirrje Evropës dhe Shteteve të Bashkuara që të mos i dobësojnë raportet pas zgjedhjes së Donald Trumpit president të SHBA-së.
“Ka pasur shumë zëra lidhur me nevojën që t’i nënshtrohemi Putinit, të tërhiqemi, të bëjmë disa koncesione… Kjo është e papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasëse për gjithë Evropën”, tha Zelensky.
Ai akuzoi disa udhëheqës evropianë, pa përmendur ndonjë me emër, se “fuqishëm” po e shtyjnë Ukrainën “të bëjë koncesione” me Putini, diçka që, sipas udhëheqësit ukrainas, do të inkurajonte edhe më shumë agresion.
“Na duhen më shumë armë, jo mbështetje në bisedime. Përqafimet me Putinin nuk do të ndihmojnë. Disa prej jush e keni përqafuar atë që 20 vjet dhe gjërat vetëm po përkeqësohen”, tha Zelensky gjatë samitit, sipas fjalimit të siguruar nga AFP-ja.