Një zëdhënës i KFOR-it, ka konfirmuar për ABC News, lajmin se ushtarët e këtij misioni kanë hequr telat me gjemba në Zveçan, të cilat ishin vendosur ditë më parë, për shkak të trazirave nga serbët.
Zëdhënësi deklaroi se vendimi u mor bazuar në situatën aktuale, por nuk konfirmoi nëse ky vendim është marrë përkohësisht.
“Konfirmoj se në Zveçan, telat me gjemba janë hequr sot në mëngjes nga ushtarët e KFOR-it. Vendimi bazohet në situatën aktuale”, u shpreh ai.
Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, edhe më 5 qershor.
Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Më 29 maj, në Zvçan, serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, duke rezultuar me të plagosur në të dyja anët./abcnews.al