Trajneri Ze Maria i shpëton më të keqes tek Tirana. Braziliani fiton edhe një tjetër shans në stol, ndonëse në klub përfliten emrat e pasardhësve.
Ishte dhe mbetet në prag të shkarkimit.
Trajneri i Tiranës, Ze Maria, shpëtoi këtë herë duke fituar një shans tjetër, veçse e ardhmja duket tërësisht e rrezikuar. Braziliani mbërriti në kompleksin stërvitor të klubit, dhe deklaroi se ishte takuar me presidentin Refik Halili, por pa dhënë sqarime të tjera.
U prit që Ze Maria të niste stërvitjen, tri ditë pas humbjes në derbin me Partizanin, dhe kjo gjë ndodhi, veçse pasi kaluan të paktën dy orë. Trajneri u mbyll në dhomën e zhveshjes me lojtarët e tij, ndërsa nuk dihet se çfarë është biseduar mes tyre.
Ai vijoi, më pas, normalisht seancën stërvitore, veçse në një atmosferë aspak të mirë. Lojtarët dhe stafi teknik padyshim që ndihen keq për shkak të rezultateve të fundit, sidomos pas humbjes në derbi.
Burime në klub pohojnë se presidenti Halili ka menduar për ta shkarkuar Ze Marinë që pas javës së parë të Superligës. Kjo ende nuk ka ndodhur, dhe besohet për shkak të kontratës së lartë që ka trajneri, rreth 70 000 euro në sezon.
Gjithsesi, tek Tirana janë përmendur alternativat e mundshme. Mes tyre, Ardian Mema, ndihmës i Ilir Dajës tek Flamurtari, Julian Ahmataj, trajner i Kamzës, por edhe Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit./abcnews.al