Zbuloni qytetet më pijedashëse dhe duhanpirëse të Shqipërisë

schedule07:15 - 13 Tetor, 2020

schedule 07:15 - 13 Tetor, 2020

Shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan të familjeve shqiptare kanë ardhur në rënie të lehtë gjatë dekadës së fundit, por në disa qarqe janë rritur më tej dhe për disa të tjera ka rënie të ndjeshme.

Sipas të dhënave të INSTAT nga anketa e buxhetit të familjeve në vitin 2019 qarqet e Elbasanit, Lezhës dhe Beratit kishin shpenzimet më të larta për alkool dhe duhan në raport me buxhetin total përkatës.

Familjet në Elbasan shpenzuan mesatarisht 5.2 për qind të buxhetit të tyre me cigare dhe pije, duke u rritur me 0.6 pikë përqindje në raport me vitin 2009.

Pas Elbasanit shpenzimet më të larta për alkool dhe duhan i ka Lezha, familjet  e së cilës çuan për cigare dhe pije 5.1 për qind të buxhetit total mujor me një rritje 0.3 për qind në raport me vitin 2009.

Berati si qarku i tretë me shpenzimet më të larta për këto produkte çoi 4.8% të totalit të buxhetit për konsumin e alkoolit dhe duhanit me një rritje 0.1% me 10 vite më parë.

E katërta renditet Korça e cila, çoi 4% të buxhetit total për konsumin e produkteve në fjalë me një rritje 0.4 pikë përqindje në raport me një vit më parë.

Në të kundërt qarqet e Shkodrës, Gjirokastrës dhe Vlorës patën shpenzimet më të ulëta për konsumin e pijeve dhe cigareve dhe me një rënie të ndjeshme përgjatë 10 viteve të fundit.

Familjet në Shkodër shpenzuan mesatarisht 2.9 % nga buxheti i tyre mujor për pije dhe duhan me një rënie me 1.3 pikë përqindje në raport me vitin 2019.

E dyta me shpenzimet më të ulëta për këtë grup ishte Gjirokastra, familjet e së cilës çuan 2,9 për qind të buxhetit të tyre për pije dhe cigare, me një rënie 1.8 pikë përqindje përgjatë dekadës.

Familjet në qarkun e Vlorës kanë ulur më shumë se çdo qark tjetër shpenzimet për alkool dhe cigare gjatë dekadës gati me 3 pikë përqindje. Më 2019 familjet në këtë qark çuan 3.1 për qind të buxhetit për produktet në fjalë, teksa 10 vite më parë shpenzimet për këtë grup ishin 6.1%.

Konsumi për pije dhe cigare shihet të jetë tipar i qarqeve të varfra. Elbasani u renditet si pas të njëjtës anketë si qarku më i varfër në vend, por gjithashtu edhe me konsumin më të lartë të pijeve dhe cigareve.

Gjithashtu Gjirokastra, e cila ka popullsinë më të plakur në vend ka konsum të ulët të këtyre produkteve të cilat zakonisht konsumohen nga mosha të reja.

Gjithashtu në disa qarqe me emigracion të lartë të të rinjve shpenzimet për pije dhe cigare kanë ardhur në ulje gjatë dekadës./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!