Vëllezërit Albert dhe Edmond Nela ishin vënë në shënjestër për tu ekzekutuar nga anëtarët e grupit kriminal që u goditën nga SPAK pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin ‘Skay’.
Sipas hetimeve ka rezultuar se shtetasi Bujar Germizi, që është vënë në pranga si dhe Ismail Zeneli, që është shpallur në kërkim, kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjonin për të vrarë 2 vëllezërit që jetojnë në Angli.
Nga hetimet ka rezultuar se shefi i krimeve te komisariatit numër 6, kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e vëllezërve Nela dhe tenton të vendosë një GPS në makinë. Po kështu ka rezultuar se Gjini ka nxjerrë të dhëna nga sistemi TIMS për Albert dhe Edmond Nelën për tua dhënë më pas anëtarëve të grupit.
Gjithashtu hetuesit kanë zbardhur edhe një bisedë të Ervin Matës, që është shpallur në kërkim për trafikim droge dhe grup i strukturuar kriminal ku flet për një sasi prej 250 kg kokainë që u nis nga Brazili dhe u kap nga autoritetet gjermane në aeroportin e Frankfurtit.
Ndërkohë prokuroria e posaçme lëshoi 11 urdhër arreste, por deri më tani në pranga janë vënë katër persona mes të cilëve ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni, Bujar Germizi dhe Besmir Murati.
Ndërsa në kërkim janë shpallur 6 persona mes të cilëve Ervin Mata si dhe Eralbi Breçani djali i Erzen Breçanit.
/abcnews.al/