Goditet rrjeti i trafikimit/ Greqi, 23 të arrestuar, zbulohen 4 laboratorë të falsifikimit të pasaportave greke dhe shqiptare

schedule11:39 - 24 Maj, 2025

schedule 11:39 - 24 Maj, 2025

Policia greke ka goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore duke  vënë në pranga 23 persona.   Grupi  transportonte  klandestinë nga Shqipëria  përmes tokës dhe detit.  Në anijen e përdorur për këto raste ishte  përshtatur  një kabinë e   posaçme  për  të fshehur  njerëzit.

Në kuadër të operacionit  “Kerveros” policia greke  ka  sekuestruar  3 700 pasaporta dhe kartë identiteti të vendeve të ndryshme  të falsifikuara dhe  50 mijë euro cash. Ndërkohë  ka  zbuluar të paktën  katër laboratorë ku prodhoheshin  dokumente fallso kryesisht shqiptare dhe greke.  Sipas mediave greke  në pranga ka rënë dhe kreu i grupit. Ai kishte ngritur  laborator   brenda një apartamenti në zonën e banesave të punëtorëve të Peristerit në Athinë.

Gjatë kontrolleve në apartamente policia gjeti çanta  me pasaporta fallso,  sirtarë me pulla dhe zarfe  me para.

Media greke shkruan se  rrjeti ishte i përfshirë në më shumë se 500 raste të trafikut të paligjshëm të klandestinëve, duke fituar një total prej të paktën 4 milionë euro.

/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!