202 varre të përbashkëta ku mendohet të ndodhen deri në 12 mijë trupa. Është kjo e dhëna shokuese e publikuar nga raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Varret janë zbuluar në tre province të ndryshme të Irakut ku ISIS ka pasur kontroll të gjerë në periudhën 2014 – 2017.
Eshtrat e mijëra personave, ndoshta deri në 12 mijë, janë gjetur në 202 varre të përbashkëta në Irak. Lajmi është bërë public nga misioni i OKB-së në vend, duke shpjeguar se për momentin vetëm disa nga varret janë ekzaminuar, dhe janë identifikuar 1.258 trupa. Këto varre janë krijuar nga ISIS që ka kontrolluar zona të gjera të Irakut nga viti 2014 deri në 2017-n. Përfaqësuesi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Irak, u shpreh se varret e dokumentuara në raport janë një testament i një masakre të vërtetë të kryer ndaj civilëve në vend.
Varret e përbashkëta mund të përmbajnë material të vlefshëm për të garantuar hetime të besueshme, procese dhe dënime të përshtatshme me standartet ndërkombëtare. Sipas raportit të përgatitur nga OKB, për tre vjet xhihadistët kanë shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, me akte që përbëjnë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe një genocide të mundshëm./abcnews.al