Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kriminale Tonin Vocaj deklaroi se fenomeni i kultivimit të kanabisit në vend nuk është në rritje.
Sipas tij ka patur vetëm në një zonë tendencë rritje për kultivimin e bimës që është kryesisht në Krujë.
Vocaj në emisionin “Opinion”, u shpreh se në Skrapar është kapur një sasi e madhe e bimës narkotike të cilën ai e quajti operacion të suksesshëm të Policisë së Shtetit.
Abcnews.al ka mësuar se sipas një urdhri nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në fillim të verës, drejtorive vendore në shkallë vendi u ishte vënë si objektiv që të kishin kontrolle të rrepta për të mos lejuar kultivimin e bimës narkotike.
Burimet kanë njoftuar se avioni i monitorimit nga italianët përpara 2 javësh, ka fotografuar në zonën e Skraparit rreth 29 parcela me kanabis.
Ky zbulim ka sjellë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë firmosjen e pezullimit nga detyra të krerëve të policisë në Çorovodë dhe Poliçan.
“Situata e kultivimit të bimëve narkotike nuk është në këto nivele siç paraqitët kohët e fundit në media.
Policia e shtetit dhe agjensi të tjera kanë kontroll të plotë në vend dhe kanë luftuar kundër këtij fenomeni. Edhe pamjet që jepen nga zona e Skraparit është një operacion i suksesshëm nga Policia e Shtetit. Edhe rasti i Bolenës që ju deklaroni për 20 mijë rrënjë bimë narkotike është kryer operacioni për asgjësimin e tyre.
Edhe në rastin e Bolenës dhe në zona të tjera është Policia e Shtetit që ka organizuar operacionet.
Ka një tendencë në rritje të kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht në Krujë. Cështja qëndron tek fakti. Pas kontrollit të policisë ekziston fenomeni i rimbjelljes. Ne duhet të pranojmë botërisht që ka ekstremisht më pak kultivim të kanabisit. Nivelet e kultivimit janë minore. Sot në territorin e Shqipërisë ka kultivim më të vogël”, deklaroi Vocaj.
N.D./abcnews.al