Zbarkon në ish-rajonin e luftës së ftohtë, ndalohet lundërtari amerikan

schedule21:57 - 3 Gusht, 2018

schedule 21:57 - 3 Gusht, 2018

Një shtetas amerikan që po lundronte me një varkë indiane ka humbur kursin dhe ka përfunduar në një rajon të përdorur gjatë Luftës së Ftohtë në Rusi. Ai është ndaluar nga autoritetet ruse dhe rasti i tij ka ngritur dyshime për spiunazh.

Roja kufitare ruse ka ndaluar një shtetas amerikan që kishte arritur brigjet e rajonit të largët lindor Çukotka, pasi kishte lundruar me një varkë të vogël indiane nga Alaska. Autoritetet ruse kanë deklaruar se ai u gjet i raskapitur në afërsi të Lavrentijës, një fshat i vogël bregdetar. Ministria e Jashtme në Moskë e ka identifikuar atë si John Martin, 45 vjeç, i cili dyshohet të ketë humbur kursin teksa lundronte në lumin Jukon. Diplomatët amerikanë po përpiqen të zgjidhin rastin e tij duke vendosur kontakte me autoritetet ruse dhe për momentin duket se nuk bëhet fjalë për një lojë spiunazhi. Aktualisht, Martin raportohet se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova ka deklaruar se 45-vjeçari ishte nisur nga lumi Jukon në Alaskë me varkën e tij 1-vendëshe. Më pas ai vendosi të dilte në det, por për shkak të kushteve të motit dhe mungesës së pajisjeve të lundrimit kaloi shumë ditë i humbur – ka saktësuar zëdhënësja. Sipas saj, ky itinerar i marinarit është arsyeja përse ai përfundoi në territorin e Federatës Ruse. Ndërkohë, një burim i afërt me hetimet ka cituar lundërtarin të thotë se kishte vendosur të udhëtonte me varkën e tij nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, por kishte përfunduar në Rusi. Çukotka, për shkak të afërsisë së saj me Alaskën ka qenë një rajon i rëndësishëm gjatë Luftës së Ftohtë. Ai është gjithashtu ndër rajonet me popullsinë më të ulët, me rreth 50 mijë banorë dhe me një infrastrukturë të rrënuar. Shumë prej banorëve të zonave rurale e fitojnë bukën e gojës përmes gjuetisë dhe shitjes së lëkurës së kafshëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!