Zbardhi 2 vrasjet e bujshme, SHBA përshëndet punën e SPAK: Vazhdoni kështu

schedule19:23 - 8 Dhjetor, 2020

schedule 19:23 - 8 Dhjetor, 2020

Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ka përshëndetur punën e SPAK për zbardhjen e dy vrasjeve të bujshme në 2005. “SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është veprimi i parë i tillë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla” shkruan Kim.

Pas 15 vitesh SPAK zbardhi vrasjen e biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj. Ai u ekzekutua me shpërthim eksplozivi në ashensor, krim i ndodhur më 27 shkurt 2005. Në këtë ngjarje vdiq dhe shoku i tij, Artan Arsi. Nëpërmjet një reagimi zyrtar SPAK njoftoi se autorët e këtij atentati janë: Emiljano Shullazi, i cili ndodhet në burg, Viktor Ymeri dhe anëtarët e tjerë të bandës së Durrësit.

Gjithashtu SPAK ka mbledhur prova dhe për atentatin ku mbeti i vdekur Klodian Saliu, krim i ndodhur më 26 shkurt 2005, në segmentin rrugor Durrës-Maminas, një ditë para se të vritej Vajdin Lamaj. SPAK akuzon për vrasjen e Klodian Saliut: Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn, Indrit Taullaun dhe Luftar Reçin.

Prokuroria ka bashkuar këto dosje pasi të akuzuarit kanë qenë anëtar të së njëjtës bandë, asaj të Durrësit apo bashkëpunëtor të saj. Gjykata e Posaçme ka caktuar për të 6 këta persona masën e sigurisë arrest në burg. Viktor Ymeri u arrestua pasditen e së martës nga policia e Tiranës, ndërsa Taullai u prangos të dielën në Prizren. Emiljano Shullazi ndodhet në qeli i dënuar për gjobëvënie dhe pengmarrje.  Tre të akuzuarit e tjerë janë në kërkim./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!