Qeveria ka miratuar projektbuxhetin e ri për vitin e ardhshëm. Sipas draftit, ai rezulton të jetë rreth 9 miliarde euro, rreth 6.8% më i lartë se i vitit aktual. Ndërkohë të ardhurat që parashikohen të arkëtohen në vitin 2026 vlerësohen në rreth 8.5 miliardë euro.
Për vitin që vjen, qeveria planifikon se ekonomia do të ketë një rritje të qendrueshme pranë nivelit të 4%, e mbështetur nga kërkesa e brendshme por edhe zhvillimi i sektorëve strategjikë.
Zotohet të vijojë konsolidimin fiskal dhe borxhi publik të vijojë më tej rënien edhe vitin e ardhshëm në 53.6%. Për investimet publike janë planifikuar rreth 180 miliardë lekë, projekte që janë të lidhura edhe me planin e rritjes së Bashkimit Europian për vendin.
Sipas specifikimeve të projektbuxhetit, nga viti i ardhshëm do të hyjë në fuqi edhe paga minimale prej 50 mijë lekë. Biznesi nuk do të paguajë më shumë kontribute shoqërore apo shëndetësore për 18 muajt e parë të zbatimit pasi shteti do të kompensojë këtë rritje të pagës minimale.
Për indeksimin e pensioneve është parashikuar të vihet në dispozicion një fond prej 1.6 miliardë lekë ndërsa edhe vitin e ardhshëm do të vijohet me politikën e bonuseve. Për këtë qëllim janë akorduar 10 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.
Edhe ky buxhet vendos fokusin te mbrojtja sociale dhe kështu fondet me te mëdha do te shkojnë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me 82.5 miliardë lekë. Pas saj me 77.2 miliardë lekë vjen ministria e Infrastrukturës, para që do të shpenzohen për vazhdimin e projekteve aktuale si dhe nisjen e kantiereve të reja në infrastrukturën rrugore e hekurudhore.
Më konkretisht, do të mbështeten nga buxheti i shtetit zgjerimi i autostradës Tiranë Durrës, ndërtimi i rrugës porti i jahteve- by passi Orikum Dukat, rikonstruksioni i rrugës së vjetër Kominat-Ndroq-Plepa si dhë një sërë projektesh të tjera rrugore. Paralelisht, do të vijojë puna për ndërtimin e rehabilitimin e linjave hekurudhore.
Projektbuxheti i vitit 2026 do të shoqërohet edhe me një pakete fiskale, që përfshin rikthimin e skëmes së rimbursimit në bujqësi në masë 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar, paqen fiskale për bizneset si dhe ndryshime të tjera./abcnews.al

