Zbardhet mbrojtja e Ahmetajt/ Precedenti “Tahiri” rrëzon SPAK

schedule15:25 - 13 Korrik, 2023

schedule 15:25 - 13 Korrik, 2023

Në Këshillin e Mandateve, avokatët e ish zv\kryeministrit Arben Ahmetaj, nuk i bindën deputetët e mazhorancës dhe të opozitës, të cilët vendosën që të premten t’i kërkojnë Kuvendit të japë autorizimin për kontrollin e banesës e deri në arrestimin e ish zyrtarit të lartë.

Dy mbrojtësit, Ardian Visha dhe Henrik Ligori, në mbledhjen që u zhvillua me dyer të mbyllura, argumentuan se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk ka asnjë shkak të ligjshëm. Sipas tyre, SPAK ka hetuar jetën privatedhe jo atë penale të Ahmetajt.

“Të favorizuar edhe nga pozita e tij politike vulnerabël, hetuesit i rikthehen nje metode të vjetër hetimi: nuk synohen faktet penale, po fillojnë dhe hetojnë personin! Provat që shoqërojnë kërkesën, demonstrojnë qartë se hetuesit kanë kaluar në sitë të gjithë jetën private dhe financiare të ish-ministrit. Historia e inceneratorëve ka filluar aty nga viti 2014. Ç’punë kanë hetuesit me kompanitë e tij “Hermes” dhe “H-Communications”, me biznesin e tij të filluar 15 vjet më parë, kur ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror, ç’punë kanë hetuesit me deklarimin e pasurisë së tij pas zgjedhjes deputet, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me faktin penal që ata pretendojnë se ka ndodhur?”

Dy avokatët thane se për tre akuzat që SPAK ka ngritur për Ahmetajn, atë të korrupsionit në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë i lidh me hetimet për inceneratorët, por hetuesit nuk janë në gjendje që t’u parashtrojnë atyre fakte konkrete. Ata shpjeguan edhe dakordësinë që dikasteri i drejtuar nga Ahmetaj ka dhënë për inceneratorët.

“Së pari, shprehja “parimisht dakord”, është një qëndrim politik i ministrit Ahmetaj: pra, në kuadrin e politikave qeverisëse të MZHETS, ministry nuk mund të shprehej kundër një projekti që synonte të menaxhonte mbetjet urbane dhe të prodhonte prej tyre energji në qytetin e Elbasanit. Së dyti, ministria që ai drejtonte nuk kishte asnjë detyrim për ndjekjen e procedurave, verifikimin e shoqërisë konçesionare apo aftësive të saj teknike. Së treti, kjo dakordësi në parim nuk prodhoi asnjë pasojë juridike, sepse për shkak të vërejtjeve të disa ministrive dhe enteve që ligji i ngarkonte të jepnin mendim, ky project nuk u kthye në vendim të Këshillit të Ministrave”.

Para deputetëve, avokatët mohuan që vilat në Hamallaj dhe Palasë u përfituan nga lidhjet e Ahmetajt me biznesmenët e inceneratorëve.

“Pretendohet nga akuza se Erjola Hoxha, bashkëjetuese nga viti 2022 e deputetit Ahmetaj, ka përfituar nga Klodian Zoto një vile në Hamallaj. Është e vërtetë se Klodian Zoto e ka porositur këtë vilë, por nuk ka paguar asnjë grosh për t’u bërë pronar i saj. Një situatë e ngjashme është edhe ajo e vilës në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Shoqëria “Inerte” SHPK ia ka shitur një zonje me shtetësi zviceriane, të quajtur Elda Dinaj, e cila ka marrëdhënie të ngushta që nga koha e viteve të rinisë me znj. Mançka. Blerësja ka paguar këstin e parë, me transaksion të rregullt banker nga Zvicra”.

Duke kundërshtuar kërkesën e SPAK, avokatët i kujtuan deputetëve në Këshillin e Mandateve, çështjen “Tahiri” që u hetua për vepra më të rënda se Ahmetaj, e në përfundim u dënua për shpërdorim detyre.

“Kërkesa që Ju po shqyrtoni nuk duhet të miratohet edhe për shkak të një precedenti të vendosur nga Kuvendi në të ashtuquajturën “çështja Tahiri”. Ai hetohej për fakte penale shumë më të rënda se ato që i kontestohen deputetit Ahmetaj  – trafikim i narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal – e, megjithatë, ai nuk u vendos në kushtet e arrestit në paraburgim. Të gjithë jeni dëshmitarë të rënies së akuzave, të ngritura me aq bujë ndaj tij. I mbeti vetëm akuza “e pashmangshme” e shpërdorimit të detyrës, barka e shpëtimit ku hovin të gjithë prokurorët për të shpëtuar nderin, në rastin e akuzave të pamatura ndaj funksionarëve publikë”.

Avokatët thanë se Arben Ahmetaj ndodhej jashtë vendit për arsye të ngutshme familjare dhe se u largua pa pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste kërkesën e saj para Kuvendit. Sipas tyre, Ahmetaj nuk i është fshehur drejtësisë, pasi më herët pranoi të jepte shpjegime para prokurorëve të Posaçëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!