Prokuroria beson se tre shtetasit e huaj që tentuan të futen në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh kanë ardhur në Shqipëri me mision. Ata do të dalin sot para gjykatës për t’u njohur më masën e sigurisë.
Në dosjen e siguruar nga abcnews.al organi i akuzës thekson se ka prova të arsyeshme se dy rusët dhe ukrainasi janë rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës dhe kanë detyra të paracaktuara.
“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara”, thuhet në dosje.
Prokuroria Prokuroria akuzon dhe për dhënie të informatave sekrete dhe sigurimi i informatave bazuar në dëshmitë që ata kanë dhënë në prokurori por që për arsye sekrete prokuroria nuk do ia vërë në dispozicion gjykatës.
Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov u arrestuan pasditen e së dielës. Ata u pikasën pranë ambienteve të uzinës ushtarake në orën 17.30. Njëri nga të huajt u përlesh me ushtarët, të cilët ruajnë objektin, duke lënduar dy prej tyre.
Duke iu referuar të dhënave nga prokuroria e Elbasanit, të huajt duket se kane qëndruar rreth 30 minuta në përreth uzinës. Në dosje thuhet se fillimisht ata janë pikasur nga një banore që ka banesën aty pranë.
Në dëshminë e saj, banorja ka deklaruar se rreth orës 17:00 pranë shtëpisë së saj ka parë parkuar një makinë ngjyrë portokalli, të cilën nuk e kishte parë më parë. Gjithashtu në afërsi të mureve të uzinës ka parë një person me kapele, pantallona të shkurtra dhe një çantë në kah, duke u ngjitur në drejtim të vreshtave të saj, të cilat janë ngjitur me murin rrethues të uzinës.
Më tej, organi i akuzës thekson se arrestimi i të huajve është bërë rreth orës 17:30, pasi janë konstatuar ne ambientet e brendshme të objektit ushtarak. g.v/abcnews.al