Zbardhen detajet rreth dëbimit të dy zyrtarëve iranianë

schedule21:52 - 20 Dhjetor, 2018

schedule 21:52 - 20 Dhjetor, 2018

Zbardhen detaje për arsyet e dëbimit nga Tirana të ambasadorit të Iranit dhe shefit të inteligjencës së kësaj selie diplomatike. Ata dyshohen se kanë ndihmuar dy persona që kishin si synim të sulmonin kampin e muxhahedinëve në Manzë, por u parandaluan nga forcat e antiterrorit.

Dëbimi i ambasadorit të  Iranit, Gholam-Hosein Mohamadnia dhe shefit të inteligjencës të selisë diplomatike në Tiranë dyshohet se  ka lidhje me dy sulme terroriste të parandaluara më herët në vendin tonë. Ngjarja e parë në të cilën dyshohet se janë përfshirë diplomatët ka ndodhur ditën e kremtimit të festës së Sulltan Nevruzit në 22 Mars të këtij viti, kur u ndaluan nga agjentët e anti-terrorit dy shtetas iranianë me iniciale S.M 59 vjeç dhe F.Z, 65 vjeç.

Për këta persona autoritetet shqiptare kishin siguruar  informacion se do të kryenin një akt terrorist atë ditë pranë Kryegjyshatës botërore në Shqipëri. Pala shqiptare kishte marrë indicie nga agjencitë e huaja partnere se dy iranianët po planifikonin edhe një sulm terrorist në kampin ku qëndrojnë 3 mijë muxhahedinë MEK në Manëz të Durrësit. Është vërtetuar tashmë se ata janë ndihmuar nga ambasada iraniane dhe trupi diplomatik për çdo informacion dhe adresë në vendin tonë.

Pas verifikimeve rezultoi e paqartë mënyra se si dy iranianët kishin hyrë në vendin tonë përmes aeroportit të Rinasit. Ata deklaruan se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, por kjo nuk rezultoi e vërtetë dhe u deportuan pas disa ditësh. Një rast i ngjashëm mësohet se ka ndodhur edhe 4 muaj më vonë, por  kësaj here në Paris, ku u organizua konferenca botërore e MEK. I ftuar në këtë konferencë ishte edhe ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko. Antiterrori francez parandaloi në mënyrë të ngjashme një sulm terrorist duke ndaluar dhe dëbuar një shtetas iranian që dyshohej se kishte lidhje me shërbimin sekret të Teheranit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!