Papa Françesku është kërcënuar. Mediat italiane raportojnë se një zarf me tre plumba ishte nisur në adresë të Atit të Shenjtë, por që nuk mbërriti në Vatikan.
Pakoja e nisur u konfiskua nga Policia që në zyrën postare të Milanos, ku edhe u zbulua se brenda saj kishte tre plumba, mbrëmjen e 9 gushtit.
Zarfi u kap nga karabinierët e kompanisë San Donato të cilët po hetojnë së bashku me detektivët e njësisë hetimore të Milanos nën drejtimin e prokurores Alessandra Cerreti.
Për momentin, të gjitha drejtimet hetimore janë të hapura. Sipas asaj që është mësuar, letra u dërgua nga Franca (ishte e vulosur me një pullë postare nga përtej Alpeve); dërguesi nuk ishte shkruar në zarf dhe emri i marrësit ishte shkruar me stilolaps me një dorëshkrim të lexueshëm. Më konkretisht, letra i drejtohej “Papës – Qyteti i Vatikanit, Piazza S. Pietro në Romë”. g.v/abcnews.al