Prej javësh tashmë një ndër çështjet më “të nxehta” të botës së futbollit në Itali është dhe marrëdhënia e tensionuar mes klubit të Romës dhe “fantazistit” italian të sulmit, Nicolo Zaniolo.
Tifozët gjithashtu u përfshinë në këtë “debat” ku të shumtë ishin ata që arritën të kërcënonin dhe me jetë 23-vjeçarin, i cili vetëm pak javë më parë gëzonte po ata tifozë me performancat e tij.
Ditën e sotme, Zaniolo ka shkruar një letër drejtuar klubit të Romës dhe futbolldashësve ku ka sqaruar të gjitha ndodhitë e kohëve të fundit, ku nuk ka lënë pa vlerësuar dhe mikëpritjen e mbështetjen që tifozët e Romës i kanë dhënë atij kur debutoi për herë të parë me fanellën “verdhekuqe”.
Gjithashtu 23-vjeçari solli në kujtesë dhe atë gol të shënuar në finalen e madhe të UEFA Europa Conference League, ku në finalen e zhvilluar majin e shkuar në Tiranë, Zanciolo i dhuroi fitoren të tijve me atë gol të minutës së 32’-të, përballë hollandezëve të Feyeenord.
Letra e plotë e Nicolo Zaniolo drejtuar Romës dhe tifozëve të saj:
Shumë gjëra janë thënë dhe shkruar për mua në javët e fundit dhe shumë nuk janë të vërteta. Unë arrita në Romë si i huaj dhe Roma dhe romanistët më pritën si një nga të tyret. Më dhanë besim, guxim dhe dashuri në momentet e tmerrshme dhe të errëta të dëmtimeve.
Në Tiranë me atë gol ndjeva se ia ktheva gjithçka që kisha marrë, duke ndihmuar për t’u dhënë gëzim të paharrueshëm të gjithë lojtarëve të Romës. Në moshën 23 vjeçare pata eksperienca kaq të shumta ku disa nga kolegët e mi nuk përjetojnë në një karrierë të tërë. Bie, ngrihu, bie përsëri, ngrihu përsëri, fito.
Muajt e fundit kam kaluar një periudhë delikate, në të cilën ishte e vështirë të kuptoja se cila do të ishte e ardhmja ime profesionale. Megjithatë, gjithmonë kam punuar shumë në fushë dhe në stërvitje me profesionalizmin maksimal.
Për herë të parë në këto ditë kam pasur frikë, për veten dhe për familjen time dhe jam ndjerë i braktisur. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë dhe isha shumë i frikësuar. E ardhmja është në duart tona unë mbaj timen dhe e vë veten në dispozicion të plotë të familjes romane. /i.m /abcnews.al