Tek Interi janë gati ta nisin me fitore vitin 2020. Objektivi i madh është fitimi i titullit kampion dhe përballë Napolit (6 janar) do të tentohet fitorja. Zikaltrit ndajnë kreun me Juventusin me nga 42 pikë dhe po bëjnë maksimumin për të rrëzuar “Zonjën e Vjetër” nga froni në Serie A.
Javier Zanetti beson shumë te potenciali i ekipit, por bën thirrje për durim dhe qetësi. Në një prononcim për Tyc Sports, zëvendëspresidenti dhe legjenda e Interit, nuk i kursen elozhet për trajnerin dhe dyshen e sulmit: Lautaro Martinez-Lukaku.
TRAJNERI – “Kemi nisur një rrugëtim me Antonio Conten dhe ky është një vit shumë i rëndësishëm për ne. Duam të jemi protagonistë në kampionat. Antonio ka shumë personalitet, ka eksperiencë dhe gjërat po na shkojnë mbarë. Champions na la një shije të hidhur për mënyrën se si u eliminuam. Ishim në një grup të vështirë, por zhvilluam ndeshje të mira kundër Barcelonës dhe Borussia Dortmund. Tani duhet të bëjmë mirë në Europa League, duam të mbërrijmë në finale“.
TITULLI – “Juventusi ka një skuadër të fortë dhe ka shumë alternativa në stol. Conte e njeh mirë Serie A dhe puna e tij po jep fryte. Shpresoj të rivalizojmë për titull deri në fund të sezonit me Juventusin. Tifozët duan të fitojmë menjëherë, njësoj si në çdo vend të botës, por jemi në një proces rritje dhe nevojitet kohë. Duhet t’i japim kohë trajnerit dhe në fund do të shpërblehemi“.
SULMI – “Lautaro po bën gjëra të rëndësishme. Po tregon se është një lojtar shumë i mirë dhe ka të ardhme të madhe. Është vetëm 22 vjeç, ka ende për të dhënë, por ndodhet në rrugën e duhur. Jemi të lumtur që mban veshur fanellën tonë. E dinim që do të bëhej lojtari që është.
Merret vesh shumë mirë me Lukakun, ka merita edhe Conte në këtë harmoni mes sulmuesve. Kur morëm Lukakun e kishim të qartë që do të merrej vesh mirë në fushë me Lautaron. E tashmja jonë me këta dy sulmues është shumë e mirë“, përfundon Javier Zanetti. /abcnews.al