Zaharia mbyllet në nëntor, të dënuarit me probleme të shëndetit mendor në Shënkoll

schedule14:46 - 9 Nëntor, 2021

schedule 14:46 - 9 Nëntor, 2021

Brenda muajit nëntor, burgu i Zaharisë në Krujë do të mbyllet. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në Komisionin për Çështjet Ligjore. Manja u shpreh se rreth 200 persona që mbahen të izoluar në këtë godinë do të transferohen në burgun e Shën Kollit nën administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Aktualisht në IEVP Zahari janë 329 persona me masa mjekësore. Është një problem i mbartur. Ka një rekomandim të këshillit të Europës dhe avokatit të popullit. Kjo kategori personash, me masë mjekësore do duhet të kalojnë në administrim të ministrisë së Shëndetësisë.

Kemi dakordësuar si zgjidhje tranzitore deri në marrjen në administrim të një institucioni të posaçëm mjekësor, të përshtasim bllokun 4 dhe 5 në burgun e Shën Kollit. Burgu i Zaharisë do të mbyllet në muajin nëntor. Me të marrë vlerësimin e ekspertëve përkatës do firmos lëvizjen e këtyre persona nga Zaharia në drejtim të Shën Kollit dhe Zaharia do të mbyllet”, tha Manja.

Mungesa e një Spitali Psikiatrik Ligjor ka detyruar shtetin shqiptar të burgosë qindra persona. Të sëmurët mendorë që bëjnë krime duhet të izolohen në një spital ligjor, por mungesa e një institucioni të tillë, ka sjellë që këta persona të mbahen në Burgun e Zaharisë në Krujë dhe në Spitalin e Burgut në Tiranë. m.v/Abcnews.al