Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati Lulzim Basha publikoi një audio të një telefonate ku kryeministri Edi Rama i drejtohet një qytetari me fjalor banal. “Zagar”, dëgjohet ndër të tjera në audion e publikuar nga Basha.
“Kjo i jep mundësinë sharlatanëve në politikë të dalin dhe të hiqen si ëngjëj kur në fakt kanë qenë autorët e fjalorit më banal që mund të imagjinojë mendja njerëzore këtu në këtë sallë. Në emisionet televizive, madje edhe në komunikim me qytetarët. Nuk e kam fjalën këtu për kërcënime nga ato të parafolësit. I ka pasur biletën e hyrjes së tij në politikë. Një pjesë prej tyre sot janë nën dhe. E kam fjalën për një mospërmbajtje me të vërtetë të përmasave jo njerëzore apo shtazërore. Ku ishte krejtësisht e panevojshme ndaj një qytetari të pambrojtur. Me fjalë që mua nuk m’i lejon edukata familjare”, tha Basha.
Ai deklaroi se Rama kënaqet duke u shkaktuar qytetarëve vuajtje pa fund dhe duke çuar në emigracion gjysmën e shtresës së mesme për t’i zëvendësuar ata me trafikun e drogës.
“Ky ishte kryeministri i vendit. E dini se çfarë është më e turpshmja. Mjafton të shkruash Edi Rama fjalor banal dhe mund të shohësh gjithë natën fjalë banale të nxjerrja nga goja e kryeministrit. Sot thotë se nuk e ul dot veten. Ku ta ulësh më shumë se sa e ke ulur. Ti kënaqesh duke u shkaktuar qytetarëve vuajtje pa fund. Ti e çon në emigracion gjysmën e shtresës së mesme. Zëvendëson punën e ndershme me trafikun e drogës dhe pastaj thua po ta ul pak.
Ta ka thënë një nga mediat më të ndritura bashkëkohore. Është si ai sadisti që të mban në dyllin e nxehtë që t’i thuash faleminderit kur ti nuk e torturon më. Sadizmi politik ishte sistemi që mbante Enver Hoxha për të terrorizuar qytetarët. Ky je ti dhe mjafton google Edi Rama, fjalor banal. Kësaj ti nuk i fshihesh dot. Në këto moment zyra jote e propagandës të shikojë mënyra për ta bllokuar”, tha Basha. m.v/Abcnews.al