Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia këtë të hënë në mbledhjen e radhës pritet që të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi ndaj COVID-19 që do u vijë në ndihmë njëra-tjetrës në rast nevoje.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev zbulon se fillimisht lëvizja mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të jetë pa teste PCR, pra lirshëm, si dhe në rast se një shtetas i këtyre vendeve infektohet në një vend tjetër të Mini-Shengenit, atëhere shpenzimet i mbulon shteti ku u infektua.
Ndër të tjera Zaev është shprehur se shtetet do të ndihmojnë njëra-tjetrën edhe në rastet kur ka mbingarkesë të sistemit shëndetësor.
“Që nga sot do të punojmë për koordonim për të siguruar vaksinën për Covid-19 për qytetarët tanë. Do të mbështesim dhe do të ndihmojmë njëri-tjetrin në momente nëse vjen deri te mbingarkesa e sistemeve shëndetësore. Hapim “koridore të gjelbra” për udhëtim të qytetarëve tanë si dhe të operatorëve ekonomikë. Shtetasit, por mbi gjitha operatorët ekonomikë të këtyre tre shteteve, do të udhëtojnë pa pasur nevojë për PCR-test, natyrisht duke respektuar masat, që janë thuajse identike”, ka thënë Zaev./abcnews.al