Zaev takim me opozitën për zgjidhjen e ngërçit të Prokurorisë Speciale

schedule16:20 - 9 Shtator, 2019

schedule 16:20 - 9 Shtator, 2019

Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se të martën kryeministri i vendit Zoran Zaev do të takohet me liderin e opozitës, Mickoski në përpjekje për të zgjidhur ngërçin për Prokurorinë Speciale. Ndërsa nga opozita theksojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme në vend.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lideri i socialdemokratëve në pushtet Zoran Zaev dhe kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, nesër do të përpiqen të gjejnë gjuhë të përbashkët për Ligjin e Prokurorisë Publike, me të cilin zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale Publike. Nga opozita bëjnë me dije se krahas këtij ligji duhet të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nesër, më me rëndësi është se si do të jetë qëndrimi i pushtetit për këtë çështje, nëse do të tregojnë seriozitet në takimin e grupeve të punës dhe më pas në takimin e liderëve dhe nëse do të tejkalohet ajo sëmundja që çdo hap përpara të kthehet mbrapsht në qëllimet fillestare”.

Mundësinë  e vendosjes mbi tavolinë të zgjedhjeve të parakohshme, nuk e kanë përjashtuar as socialdemokratët në pushtet. Kreu i tyre, Kryeministri Zoran Zaev gjatë shënimit të festës së Pavarësisë tha dje në Shkup se është i bindur që propozim/ligji i shumëpërfolur për Prokurorinë Publike do të marrë dritën jeshile me shumicën e dy të tretave, duke u treguar i hapur edhe për zgjedhjet e reja.

“Të përkushtuar ndaj interesave shtetërore, në periudhën e rëndësishme që pason, pres që të kyçen edhe institucionet kryesore të shtetit. Jam i bindur se kemi kapacitet që ta miratojmë ligjin për Prokurori Publike me shumicë prej dy të tretave dhe të gjitha rastet e krimit dhe korrupsionit të marrin epilogun e drejtë”

Nga partia e Ali Ahmetit që bën pjesë në koalicionin qeverisës, ndërkaq duke mos vënë në pikëpyetje, angazhimet e mësipërme, thonë se rasti “Zhvatja” duhet të zbardhet deri në fund, për shkak se sikundër tërhiqet vërejtja, anashkalimi i tij mund të fus vendin në labirintet e reja të krizës.

Për shkak të afateve të shkurtuara ligji për Prokurorinë Publike pritet të miratohet më së voni deri më 15 Shtator. Miratimi i këtij ligji llogaritet si kyçe për euro-integrimet e Maqedonisë së Veriut./ABC News Albania 24/7      

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!