Zaev për mediat greke: Nuk do të kandidoj për president

schedule16:10 - 4 Janar, 2019

schedule 16:10 - 4 Janar, 2019

Në një intervistë për mediat greke, kryeministri maqedonas Zoran Zaev theksoi se nuk ka ndërmend të kandidojë për presidencën e vendit si dhe ka dhënë arsyet e tij për një vendim të tillë.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev u ka dërguar qytetarëve grekë një mesazh miqësie dhe urime për Vitin e ri. Në një intervistë dhënë analistit Nikolas Zirganos, për “Gazetën e Redaktorëve”, Zaev është shprehur i sigurtë për finalizimin pozitiv të ndryshimeve kushtetuese, si dhe për jetësimin e marrëveshjes së Prespës, pavarësisht kundërshtimit të presidentit Ivanov. Në intervistë, Zaev thotë se shpreson që marrëveshja të votohet me më shumë se 80 vota.

“Në këto momente nuk mund të garantoj se sa vota do të marrim, por besoj se do të jenë më shumë se 80. Një votë më shumë do të ishte mirë. 5-10 do të ndihmonte. Aktualisht kemi të verifikuara 76 vota”, thotë Zaev, duke sqaruar se ky numër ka të bëjë me faktin se ende procesi është duke vazhduar dhe deputetët kanë mundësinë të depozitojnë amendamente.

Sa i përket kundërshtimit të vendosur të presidentit Gjorge Ivanov, Zaev thotë se do të shfrytëzohet deri në fund mundësia e dialogut demokratik. Ndërkaq, nënvizon se “kemi zgjidhje alternative, gjithmonë përmes konsultimit me parlamentin. Do të ketë zgjidhje, me siguri. Por në këtë moment janë prioritare ndryshimet kushtetuese”.

Zaev thotë se pas votimit të marrëveshjes së Prespës do të bëjë gjithçka që t’i tregojë Greqisë në mënyrën më konkrete avantazhet e marrëveshjes.

“Mandati im përfundon në dhjetor 2020. Do të kushtoj një pjesë të madhe të mandatit tim për t’iu treguar grekëve se ekzistojnë vetëm pika pozitive”, tha ai.

Zoran Zaev ka shpjeguar në intervistë edhe përse nuk do të kandidojë për postin e presidentit të Maqedonisë.

“Nuk do të jem kandidat për president, pse nuk dua të humbas gëzimin e vënies në zbatim të marrëveshjes së Prespës, por edhe pse kjo marrëveshje na hap rrugën e anëtarësimit në NATO dhe vazhdimin e integrimit europian, që do të na sjellë një të ardhme më të mirë ekonomike”.

I pyetur mbi reagimet e Moskës që kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Zaev thotë se vendi i tij do t’i forcojë marrëdhëniet me Rusinë.

“Në vendin tonë jemi kryesisht ortodoksë, ashtu si rusët dhe duam ta shtojmë bashkëpunimin tonë. Mirëpo mbi 80% e qytetarëve në vendin tim janë në favor të integrimit euro-atlantik”.

Për Zaevin, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të thotë “paqe e përjetshme, stabilitet dhe siguri”.

“Jemi një vend multietnik, me besimtarë të feve të ndryshme. Askush nuk e di se çfarë mund të sjellë e ardhmja. Për ne, anëtarësimi në NATO do të thotë paqe e përjetshme, stabilitet dhe siguri”.

Zaev ka vlerësuar se Marrëveshja e Prespës duhet të inkurajojë Prishtinën dhe Beogradin “që të kërkojnë zgjidhje në mënyrë miqësore, gjë që uroj të ndodhë”.

“Pas vënies në zbatim të Marrëveshjes së Prespës ata do të jenë më tepër të ekspozuar që të gjejnë zgjidhje. Ata mund të mësojnë se si përmes një mënyre miqësore, natyrisht me riskun kolosal të një kostoje politike për politikanët, por në dobi të vendeve, është e mundur të gjejnë zgjidhje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!