Zaev paralajmëron: Do i drejtohem Kushtetueses për ligjin e gjuhëve

schedule11:16 - 28 Mars, 2018

schedule 11:16 - 28 Mars, 2018

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese pas këmbënguljes së kreut të shtetit Ivanov për të mos dekretuar ligjin e gjuhëve të miratuar për herë të dytë në parlament me 61 vota pro.

Mazhoranca në Maqedoni mund t’i drejtohet shumë shpejt gjykatës kushtetuese në lidhje me këmbënguljen e presidentit Ivanov për të mos nënshrkuar dekretin e ligjit për gjuhët. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryeministri maqedonas Zoran Zaev i cili thekson se kreu i shtetit mund të bllokojë në të njëjtën mënyrë dhe ligje të tjera reformuese. Më tej Zaev tha se i takon gjykatës kushtetuese tashmë që të tregojë se çfarë do të ndodhë, në një moment që kushtetuta e bën të qartë se Presidenti është i detyruar të dekretojë ligjin në fjalë.

Një fakt që mbështete dhe nga ish gjykatësi maqedonas Igos Spirovski, i cili sqaroi për mediat në vend se në asnjë pjesë të Kushtetutës nuk shkruan se kreu i shtetit ka të drejtë të interpretojë nëse duhet të vendosë firmën e tij në ligje, pas ri miratimit. Në momentin që një ligj miratohet për herë të dytë me 61 vota presidenti i vendit është i detyruar ta dekretojë, shton ai. Pa nënshkrimin e tij ligji nuk mund të shpallet dhe nuk mund të hyjë në fuqi.

Njohës të Kushtetutës në vend shprehen se Ivanovi do të japë përgjegjësi para drejtësisë në lidhje me shkeljen e aktit më të lartë shtetëror, më saktë nenit 75 i cili e detyron Kryetarin e Shtetit që të nënshkruajë ligjin i cili merr dritën jeshile nga institucioni ligjvënës për të dytën herë. /abcnews.al